Zëri i Amerikës: PS drejt fitores në 5 bashki, Berisha udhëheq në Shkodër
Në Shqipëri, ndërsa numërimi i votave të zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara dje në 6 bashki të vendit, po shkon dret fundit, Partia Socialiste rezulton fituese në të paktën 3 prej tyre, Vorë, Rrogozhinë, e Lushnje, ku procesi është mbyllur, dhe udhëheq me diferencë në 2 të tjera (Durrës e Dibër) , përveç Shkodrës, ku në krye, me më shumë vota, është Bardh Spahia, kandidati i lëvizjes së ndërmarrë nga kryeministri Sali Berisha, në garë nën emrin e koalicionit Shtëpia e Lirisë, që formalisht mban siglat e LSI-së dhe Partisë Demokristiane. Kandidatët e zotit Berisha, kanë siguruar ndjeshëm më shumë vota se përfaqësuesit e Partisë Demokratike të kryetarit Lulzim Basha, përveç Rrogozhinës.
Vora ishte bashkia ku rezultati u shpall që mbrëmë. Kandidati socialist Blerim Shera siguroi 69.9 përqind të votave, përkundrejt 24.3 përqind të marra nga Lulzim Vrana, i Shtëpisë së Lirisë dhe 6.29 që kanë shkuar për kandidatin demokrat Ymer Marku.
Në Rrogozhinë, po ashtu socialistët arritën të marrin 60.73 përqind të votave me kandidatin e tyre Edison Memolla, ndërsa dy rivalët e tjerë të opozitës ndanë 21.96 përqind (Ferdinand Saraçi i PD) dhe 17.31 përqind (Hekuran Xhani I Shtëpisë së Lirisë).
Lushnjë, ishte bashkia e tretë ku socialistët u rikonfirmuan me fitoren e kandidates së tyre Eriselda Sefa. Ajo arriti të marrë mbështetjen e 59.5 përqind të votuesve. Dy kandidatët e tjerë ndanë 31.02 përqind (Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë) dhe 10.75 përqind të votave (Indrit Sefa i PD).
Shkodra, pavarësisht përçarjes të së djathtës, duket se sërish ka zgjedhur t’i besojë po asaj. Në këtë bashki, historikisht të drejtuar nga e djathta, kur janë numëruar gati 80 përqind e kutive, udhëheq me afro 43.6 përqind kandidati Spahia i Shtëpisë së Lirisë, i ndjekur nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni me 39.7 përqind. Diferenca mes tyre është prej pak më pak se 1700 vota. Pavarësisht luhatjeve, zoti Bardhi ka ruajtur gjatë gjithë kohës kryesimin, dhe nuk duket se ka hapësira për një përmbysje. E vetmja mundësi më e prekshme, në rast të ngushtimit të diferencës së votave, është nëse ajo do të zbresë poshtë 1177 votave, që përfaqësojnë nurmin e zgjedhjeve në tre qendra votimi ku dje zgjedhjet u shpallën të pavlefshme. Në një rast të tillë, atëherë zgjedhjet për të gjithë bashkinë e Shkodrës do të duhej të përsëriteshin. Kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati ka 16.6 përqind.
Në Durrës, një tjetër qytet i madh dhe i rëndësishëm, socialistët kanë ruajtur epërsinë e tyre. Edhe këtu, kur janë numëruar afro 90 përqind e kutive të votimit, kandidatja e PS, Emirjana Sako me 58.17 përqind. Në vend të dytë është kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka me 29.5 përqind, ndërsa kandidati demokrat Luan Hoti ka vetëm 12.3 përqind. Diferenca e madhe që ka siguruar zonja Sako, e bën thuajse të pandryshueshëm rezultatin nga numërimi i kutive të fundit.
Në Dibër, sërish socialistët janë përpara me diferencë të ndjeshme nga rivalët e tjerë. Kandidati i tyre Rrahim Spahiu është përpara me 60 .87 përqind të votive. Dy kandidatët e tjerë të djathtë, po rivalizojnë me një numër të kufizuar votash. Shpëtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë ka 19.6 përqind, dhe Luan Haka 19.08 përqind, një diferencë prej pak më shumë se 100 vota.
Fraksion.com