AktualitetBota+Të fundit

Vritet kryetari i bashkisë së Hostomel në Ukrainë

Burime informojnë se luftime të ashpra janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në perëndim të Kievit.

Në këto luftime mbeti i vrarë kryetari i bashkisë së Hostomel, Yuriy Prylypko. Ai humbi jetën teksa “u shpërndante bukë të uriturve dhe ilaçe të sëmurëve, duke ngushëlluar të dëshpëruarit”, citohet në faqen në FB të qytetit. Bashkë me të u vranë dhe dy persona të tjerë.

”Forcat ruse shkatërruan Buchan, Hostomelin, Vorzelin, Irpin. Ata vrasin qëllimisht civilë”,- tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko.

Raporte të shumta flasin për zjarr të fortë në të katër qarqet të hënën, ndërsa civilët vazhdojnë të ikin nga luftimet.

“Ne po bëjmë gjithçka në kryeqytet për të mbështetur qytetin, për të krijuar një rezervë me ushqime, ilaçe, mallra thelbësore. Ne shpërndajmë dhe ofrojmë ndihma për ata që kanë më shumë nevojë sot. Ndihma humanitare u dërgua edhe në Chernihiv [një qytet në veri e Kievit]. Ne po përpiqemi t’i dorëzojmë në Bucha dhe Hostomel. Ne po formojmë ngarkesa humanitare për disa qytete të tjera. Kryeqyteti po përgatitet për mbrojtje. Unë u kërkoj të gjithë banorëve të Kievit të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë në shtëpi ose — në rast alarmi — në strehimore.“-shtoi ai.

 

Fraksion.com