AktualitetEkonomiTë fundit

Miratohet marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore me Kosovën

Marrëveshja e firmosur në fund të vitit 2021 mes Shqipërisë dhe Kosovës për njohjen e sigurimeve shoqërore i hap rrugën krijimit të një tregu të përbashkët pune.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani bëri të ditur se në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.

Vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur, si i shtetasve shqiptarë që punojnë në Kosovë, ashtu edhe i shtetasve të Kosovës që vijnë e punojnë në Shqipëri. Kjo marrëveshje lehtëson akoma më tej procedurat, njeh periudhat e sigurimit të tyre, me qëllim që qytetarët nga të dy vendet të mund të përfitojnë.

Marrëveshja bashkon të gjithë periudhat e punës, pavarësisht se ku kanë punuar individët dhe i konsideron si të ishin kryer në Shqipëri. Nga kjo marrëveshje parashikohet të përfitojnë rreth 2000 qytetarë.

Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Hungarinë, Çekinë, Gjermani, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë, Zvicrën dhe Belgjikën.

Procesi i njohjes së pensioneve është në avancim edhe me shtete si Kanadaja e Bullgaria.

Ndërkohë me Italinë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduart Shalsi bëri të ditur se është rënë dakord në parim për miratimin e një marrëveshje.

Bisedimet vijojnë edhe me Greqinë, dy vende këto ku jetojnë e punojnë numri më i madh i shqiptarëve jashtë vendit.

Nga njohja reciprokeve e sigurimeve shoqërore, përllogaritet se do të përfitojnë rreth 100 mijë qytetarë.

Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com