AktualitetKosovaTë fundit

Kosova paralajmëron heqjen e vizave tranzit për Ukrainën

Kosova është e gatshme të strehojë 5000 ukrainas. Ministrja e Jashtme, Gërvalla thotë se në Kosovë nuk ka nevojë për panik, sepse nuk ka parashenja për konflikt të armatosur me askënd.

Autoritetet e Kosovës paralajmëruan strehimin e familjarëve të ushtarëve ukrainas të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë. Po ashtu Kosova  së shpejti paralajmëron heqjen e vizave tranzit për Ukrainasit.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, bëri të ditur se  Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave tranzit për qytetarët e Ukrainës, ndërsa, do t’u krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës, të cilët shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës  KFOR.

Qeveria e Kosovës po ashtu ka thënë se është e gatshme të strehojë pesë mijë ukrainas. Në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR, shërbejnë 40 ushtarë ukrainas. Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa, ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.

“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje-qëndrim”, tha ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, dhe shtoi se “brenda kësaj jave, do të dorëzojë kërkesën në Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave konkrete për pranimin e 5.000 refugjatëve nga Ukraina”. Kuvendi i Kosovës javën që shkoi, miratoi një rezolutë me të cilën i kërkoi qeverisë së Kosovës të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës dhe në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5.000 refugjatëve.

“Jemi shumë të ndërgjegjshëm që kontributi ynë është modest. Në bashkëpunim me shoqatat e gazetarëve ndërkombëtare dhe vendore kemi treguar gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas së bashku me familjet e tyre, që përveç strehimit t’u krijojmë edhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që krahas betejës ushtarake, shumë e madhe është edhe beteja informative, e ajo bëhet kryesisht përmes lajmeve të rreme ku Rusia është kampion”, tha Gërvalla.

Kosova ka kërkuar nga KFOR-i dhe NATO ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse

Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, ministrja Gërvalla, tha se Kosova ka kërkuar nga KFOR-i dhe NATO ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse dhe se kjo kërkesë, siç tha ajo, “është duke u shqyrtuar nga NATO”.

“Në bazë të marrëveshjes së Kumanovës, një gjë e tillë nuk është kompetencë e Kosovës por e komandantit të KFOR-it dhe na është thënë që KFOR-i së bashku me NATO-n janë duke shqyrtuar këtë kërkesë tonën. Na është premtuar nga KFOR-i dhe përfaqësuesit e SHBA-se këtë kërkesë tonën do ta marrin seriozisht dhe presim rezultate ditëve në vijim”, tha Gërvalla.

Ajo tha se megjithë ndjeshmërinë e situatës, nuk ka sinjale konkrete për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak në Kosovë, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos ndjejnë panik.

“Ndikimi rus në rajon është i madh dhe i rrezikshëm, dhe ai organizohet përmes Serbisë. Ne vazhdojmë të ndërgjegjësojmë partnerët dhe aleatët tanë se nuk kemi sinjale konkrete për ndonjë sulm ushtarak të kujtdo qoftë në Kosovë, por që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të përgatitur, sepse asnjëherë nuk mund të dimë se çfarë do të ndodhë.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët tanë që gjendja në rajonin tonë të vëzhgohet me kujdes të jashtëzakonshëm, në mënyrë që të mos vihemi para fakteve të kryera, që mund të na çonin në probleme serioze. Në Kosovë nuk ka nevojë askush të ndjejë panik, sepse nuk ka asnjë parashenjë që ndodhemi në prag të një konflikti të armatosur me askënd”, tha Gërvalla.

Në mesditë e së hënës, disa qindra qytetarë të thirrur nga Organizata joqeveritare, organizuan një marsh në sheshin kryesor të Prishtinës, duke u solidarizuar me popullin e Ukrainës. Marshit ju bashkuan edhe presidentja Vjosa Osmani, së bashku me disa ambasadorë të vendeve të QUINT-it në mesin e tyre edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde. Presidentja Osman tha se në këto momente janë bashkuar me botën demokratike.

“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin”, tha Presidentja Vjosa Osmani.

Kuvendi i Kosovës më 3 mars, miratoi një rezolutë me të cilën e “dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federatës Ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj”. Rezoluta e miratua në praninë edhe të raportueses për Kosovën në Parlamentin evropian Viola von Cramon.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion. Më tej thuhet se “Kuvendi i Kosovës mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës Ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet demokratike”./dw

 

Fraksion.com