Gjermani: Priten lehtësime për procedurën e bashkimit familjar
Bashkimi familjar në Gjermani aktualisht paraqet shumë probleme. Por planet e koalicionit të ri qeveritar gjerman pritet të çojnë në zvogëlimin e kohës së pritjes për marrjen e vizës.
Por megjithëse shumë vetë i plotësojnë kriteret, për familjarët kthehet në një kohë të mundimshme e shpesh dëshpëruese pritja për të marrë së pari një orar për shtrimin e kërkesës për vizë e më pas marrja e vizës. Një pritje që jo rrallë e kalon një vit. Të lodhur nga kjo, jo pak vetë marrin rrugën e vijnë në Gjermani, duke shpresuar të zgjidhin problemin e vizës në vend. Një rrugë, të cilën ekspertët e bashkimit familjar nuk e rekomandojnë, sepse familjarët përballen pastaj me vështirësi të tjera, kur nuk respektohen rregulloret.
MPJ: Do të ketë lehtësime për procedurën e vizave për bashkimin familjar
Ministria e Jashtme e Gjermanisë është e vetëdijshme për këto vonesa. Në një prononcim të fundit për DW, zyra e shtypit thotë, se në dy vitet e fundit për shembull në ambasadat e Beogradit dhe Prishtinës është arritur që të reduktohen kohët e pritjes për viza për bashkimin familjar. Kurse në ambasadat në Sarajevë, Shkup dhe Tiranë kohët e pritjes për një orar për aplikimin për vitën e baashkimit familjar edhe më tej konsistojnë në 6 muaj dhe deri në 9 muaj. Në Podgoricë nuk ka pasur kohë pritjeje para pandemisë, dhe përmes sistemit online mund të merrje një orar brenda pak ditësh.
“Ministria e Jashtme punon me intensitet që të rrisë kapacitetet e përfaqësive të huaja jashtë për pranimin e kërkesës për vizë dhe përpunimin e saj, me qëllim të uljes së kohës së pritjes. Por përpjekjet aktuale vështirësohen edhe për shkak të situatës së vazhdueshme të pandemisë dhe me masat që lidhen me mbrojtjen e punonjësve dhe vizitorëve”, thuhet në prononcimin e Ministrisë së Jashtme në Berlin për DW.
Pak shpresa mund të kenë aplikuesit e bashkimit familjar për të ardhmen. Jo vetëm zbutja e gjendjes së pandemisë, por edhe planet e koalicionit të ri qeveritar gjerman për bashkimin familjar pritet të çojnë në përmirësimin e gjendjes. Shpesh organizatat e azilit apo ekspertët në Gjermani,kanë ngritur zërin, se familjet kanë një të drejtë për bashkim dhe se është e padurueshme ndarja për një kohë të gjatë e tyre. Partitë e koalicionit qeveritar, SPD, Të Gjelbrit dhe liberalët kanë premtuar përmirësime. Në marrëveshje theksohet, se “dhënia e vizës do të përshpejtohet dhe digjitalizohet më shumë”.
Këtë e konfirmon edhe zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme në Berlin. “Krahas masave organizuese në marrëveshjen e koalicionit janë parashikuar edhe lehtësime të tjera për procedurën e vizave për bashkimin familjar, të cilat pas zbatimit mund të çojnë po ashtu në zvogëlimin e kohës së pritjeve.” Ministria e Jashtme gjermane i tha DW, se për zbatimin e këtyre lehtësimeve që kërkojnë pjesërisht edhe ndryshime ligjore, kjo ministri është në këmbim të ngushtë me ministritë përkatëse./dw
Fraksion.com