Zgjedhjet e pjesshme, Celibashi: Nuk raportohen problematika domethënëse, në Vorë proces model
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bëri thirrje sot subjekteve politike për mos tu përfshirë në deklarime publike që përçojnë mesazhe elektorale, pasi jemi në periudhën e heshtjes zgjedhore.
Në një komunikim për mediet, Celibashi tha se “kemi bërë verifikime në terren të situatës në qendrat e votimit dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative”.
Celibashi tha se “në 5 qendra votimi identifikimi i zgjedhësve është bërë me lista, pasi kanë munguar operatorët e pajisjeve elektronike të identifikimit”.
“Po ashtu në 15 qendra votimi është zëvendësuar pajisja elektronike e identifikimit. 75% e qendrave të votimit janë hapur në orën 7:00, ndërsa 25% janë hapur nga ora 7:00 deri në orën 07:30”, tha Celibashi.
Ai shtoi se “ne kemi komunikim të vazhdueshëm me të gjitha KZAZ-të. Kemi bërë edhe verifikime në terren të situatës dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit, që ka patur grumbullime të personave të paautorizuar. Kemi komunikuar me KZAZ-të respektive dhe është raportuar se situata ka ndryshuar, është kthyer në normalitet”, tha ai.
Ndërsa i bëri apel qytetarëve të marrin pjesë në votime, Celibashi kujtoi se qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00.
Lidhur me rastin e Shkodrës për shpallje të pavlefshmërisë në tre qendra votimi, Celibashi tha se “nuk është votuar për arsye objektive, pasi situata e motit ka qenë e vështirë, në kushte ekstreme atmosferike dhe objektivisht ka qenë e pamundur, edhe në këmbë ka qenë e pamundur për të shkuar”.
Në listë në qendrat e votimit në Shosh dhe Pult janë rreth 1300 votues. Bëhet fjalë në total për 3 Qendra Votimi, 2 në Shosh dhe 1 në Pult.
“Megjithë përpjekjet që kanë bërë komisionerët për të qenë në qendrat e votimit, kjo nuk ndodhi. Tani kjo është një çështje që mbetet për t’u vlerësuar pasi të përfundoj procesi. Kodi Zgjedhor parashikon se nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në 1 apo në disa qendra votimi dhe numri i zgjedhësve është i tillë që është më i madh se diferenca mes kandidatit të parë dhe të dytë, atëherë zgjedhjet përsëriten në gjithë bashkinë. Kjo ngelet për t’u parë nga aspekti numerik, por edhe nga substanca”, tha Celibashi, ndërsa shtoi se nëse vendoset për ripërsëritjen e zgjedhjeve kjo do të ndodhë jo më vonë nga 4 javë kur merret vendimi për t’i shpallur të pavlefshme.
Ndërkohë Celibashi theksoi se në Vorë, procesi i votimit po shkon normalisht dhe është një proces model.
“Në lidhje me Vorën, si nga raportimet që administrata e KQZ ka marrë, por gjykuar dhe nga ajo që pashë vetë, procesi i votimit aty ishte duke shkuar normalisht. Sa i përket mungesës së komisionerëve të PD, do të gjejë trajtimin e vet ligjor më pas në KQZ. Votimi në pesë qendrat e votimit atje, që unë e pashë, mund ta përkufizoj si model. Nuk kishte problematika në votimin elektronik”, u shpreh kreu i KQZ.
Fraksion.com