Celibashi: Blerim Shera i PS-së fiton zgjedhjet në Vorë me 7530 vota
Kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera ka fituar zgjedhjet në bashkinë Vorë me 7530 vota.
Rezultatet e votimit dhe numërimit elektronik i publikoi sonte rreth orës 20:30 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Në një dalje për mediet, Celibashi u shpreh se, “sipas rezultateve paraprake, pjesëmarrës janë 11096 zgjedhës të bashkisë Vorë, të cilët kanë votuar për kandidatët për kryetarë bashkie, sot. Kandidati Lulzim Vrana i “Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 2589 vota. Kandidati Blerim Shera i PS-së 7530 vota dhe kandidati i PD-së, Ymer Marku ka marrë 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin që nuk zgjedh asnjë kandidat”.
“Ky është rezultati paraprak. Rezultatin zyrtar do ta shpallë KZAZ e Vorës. Ne jemi duke dërguar dhe gati është në përfundim dërgimi i pajisjeve elektronike të votimit në KZAZ-në e Vorës, për të zhvilluar atje procesin e certifikimit të rezultatit”, tha Celibashi.
“Kemi dorëzuar gjithashtu edhe bazën tjetër materiale zgjedhore, por e cila nuk u përdor në këto zgjedhje pasi procesi i votimit elektronik funksionoi me sukses të plotë dhe nuk patëm asnjë lloj problemi”, u shpreh Celibashi.
“Kjo vonesa relative në nxjerrjen e këtij rezultati ka të bëjë thjesht dhe vetëm me marrjen e rezultatit nga të gjitha qendrat e votimit dhe për shkak të internetit në disa zona kemi pritur që të kishim dhe një konfirmim të dytë nga operatorët të cilët janë kujdesur për operimin e pajisjes elektronike të votimit”, tha ai.
Fraksion.com