AktualitetPolitikëTë fundit

Celibashi: Angazhim serioz dhe me përgjegjësi i anëtarëve të grupeve të numërimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kërkoi angazhim serioz dhe me përgjegjësi të anëtarëve të grupeve të numërimit për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në bashkitë ku u votua sot.

Në një dalje për mediet, Celibashi u shpreh se, “procesi zgjedhor i 6 marsit nuk është mbyllur akoma. Ajo çfarë ka më rëndësi tashmë të theksojmë është angazhimi serioz dhe me përgjegjësi i anëtarëve të grupeve të numërimit për bashkitë e tjera për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve”.

“Kemi gjithë vëmendjen për ta monitoruar këtë proces me kujdes për të mos lejuar asnjë sjellje, e cila mund ta vononte apo mund ta cenojë integritetin e këtij momenti të procesit zgjedhor”, tha Celibashi.

“Kemi marrë një njoftim nga KZAZ nr 2, të cilët kanë kërkuar që procesi i nxjerrjes së rezultatit të mos vazhdojë sot, por të vazhdojë nesër. I kemi urdhëruar që procesi i nxjerrjes së rezultatit duhet të fillojë menjëherë dhe nuk duhet asnjë lloj ndërprerje, përndryshe do të ketë penalitete”, u shpreh Celibashi.

“Në përgjithësi procesi i ngritjes së grupeve të numërimit, janë 69 grupe numërimi në total, ka përfunduar. Jemi duke zhvilluar disa seanca trajnimi për anëtarët e grupeve të numërimit, të cilët janë emëruar, por nuk i kanë marrë trajnimet përkatëse. KQZ dhe stafi përkatës ka marrë masat për të zhvilluar trajnimin atyre anëtarëve të grupeve të numërimit të cilët nuk e kanë marrë trajnimin përkatës”, theksoi Celibashi.

Celibashi u shpreh se, “qëndrojnë të gjithë ato informacionet që kemi dhënë pak më herët në lidhje me pajisjet e identifikimit elektronik, apo dhe me problematika të tjera të evidentuara gjatë ditës së votimit në disa QV”.

“Procesi i mbylljes është realizuar me sukses. Të gjitha QV janë mbyllur në orar. Nuk ka pasur votues të cilët kanë qenë në radhë për të pritur për të votuar dhe tashëm jemi duke përfunduar procesin e dorëzimit të bazës materiale nga të gjitha komisionet e QV-ve në të gjitha KZAZ-të respektive dhe besoj që shumë shpejt do të fillojë procesi i numërimit dhe do të synojmë që brenda ditës së nesërme, ndoshta në orët e vona ta kemi rezultatin të paktën për numrin më të madh të bashkive të tjera. Ndoshta Shkodra dhe Durrësi për shkak të numrit të madh të QV-ve mund të kenë ndonjë vonesë. Por në çdo rast do të jetë para orës 22 të mbrëmjes”, tha Celibashi.

 

Fraksion.com