AktualitetPolitikëTë fundit

Rama telefonatë me Zelensky: Do të bëjmë gjithçka mundemi që Ukraina të triumfojë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilit i shprehu të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.

Rama tha se “sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës”.

“I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama gjatë bisedës telefonike i tha Presidentit Zelensky “nuk dua t’ju përsëris atë çka po thotë e tërë bota për ju, por thjesht po ju them se do të doja të mund të bëja më shumë për ju, për vendin tuaj! Dhe uroj që të triumfoni”.

Duke e falënderuar Kryeministrin Rama për telefonatën, Presidenti i Ukrainës Zelensky u shpreh “nëse doni që ne të triumfojmë, dua t’ju siguroj që ne e kemi edhe aftësinë edhe forcën tonë”.

 

Fraksion.com