Bota+

Kryeministri izraelit takohet me Putinin për luftën në Ukrainë

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky është takimi i dytë që presidenti rus ka zhvilluar me ndonjë liderë të huaj, që prej se forcat e tij nisën pushtimin e Ukrainës dhjetë ditë më parë.

Bennett ende nuk i është bashkuar liderëve ndërkombëtarë në dënimin e ofensivës ruse, duke theksuar se Izraeli ka lidhje të forta si me Moskën ashtu edhe Kievin. Ukraina më herët i ka kërkuar Bennettit që të ndërmjetësojë bisedimet për krizën.

Sipas një zyrtari izraelit, bisedimet midis Bennett dhe Putin në Kremlin kanë zgjatur tre orë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka konfirmuar për agjencitë ruse të lajmeve se dy liderët kanë biseduar për situatën në Ukrainë.

Vizita e Bennett në Rusi vjen në ditën e njëjtë kur Ukraina njoftoi se rundi i tretë i bisedimeve me Rusinë do të mbahet të hënën. Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për një marrëveshje armëpushimi dhe për korridoret humanitare.

Zyra e Bennett po ashtu ka bërë të ditur se pas takimit me Putinin, ai ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Kryeministri Naftali Bennett së fundmi ka biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin”, tha zyra e Bennnett.

Pas vizitës në Moskë, kryeministri izraelit është nisur drejt Berlinit, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, gjë që ka shtyrë Perëndimin të vendosë sanksione të ashpra kundër Moskës zyrtare.

Tre ditë më parë, Bennett zhvilloi biseda të veçanta telefonike me Putin dhe Zelensky. Ky i fundit i ka bërë thirrje Izraelit që të ndërmjetësojë përpjekjet për të arritur një armëpushim. Ndërsa Izraeli e ka dënuar pushtimin e Rusisë në deklaratat e ministrit të Jashtëm Yair Lapid, vetë Bennett i ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj Rusisë apo Putinit.

Izraeli ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë në vitet e fundit në mënyrë që të mund të vazhdojë sulmet ajrore kundër objektivave iraniane në Siri, të cilat Izraeli i konsideron si kritike për të parandaluar transferimin e teknologjisë së raketave të drejtuara me saktësi te Hezbollahu.

 

Fraksion.com