AktualitetBota+Të fundit

Ankaraja: Turqia dhe SHBA do të koordinojnë përgjigjen ndaj luftës në Ukrainë

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë një “koordinim të ngushtë” ndërsa punojnë për gjetjen e një zgjidhje diplomatike për sulmin rus ndaj Ukrainës, tha Ministria e Jashtme turke pas bisedimeve mes zëvendësministrit të jashtëm turk dhe Zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit të shtunën. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë aleatë të NATO-s.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar për një sërë çështjesh vitet e fundit, përfshirë vendimin e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes nga raketat, S-400 dhe dallimet në qasjen politike ndaj Sirisë dhe Mesdheut lindor. Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë në dhjetor të vitit 2020 pasi Turqia bleu sistemin kundër-ajror rus S-400.

Turqia ndan një vijë kufitare detare me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka lidhje të mira me të dyja vendet. Ankaraja e ka quajtur të papranueshëm sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.

Në një deklaratë pas bisedimeve midis Zëvendës Ministrit të Jashtëm Sedat Onal dhe Zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman në Ankara, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se aleatët “konfirmuan mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”.

“U theksua rëndësia e koordinimit të ngushtë të qëndrimeve për të menaxhuar ndikimet e shumëanshme të krizës dhe për të mbështetur një zgjidhje diplomatike”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme turke. Deklarata gjithashtu theksoi diskutimin mbi marrëdhëniet dypalëshe.

“U konfirmua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh përmes një dialogu të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar dhe u theksua se, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për disa çështje, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një axhendë pozitive të gjerë”, thuhet në deklaratë.

Në përgjigje të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Turqia muajin e kaluar mbylli ngushticat e saj të Bosforit dhe Dardanelet që lidhin Mesdheun dhe Detin e Zi për anijet luftarake, bazuar në paktin e vitit 1936, duke kufizuar kalimin e disa anijeve ruse.

Megjithatë, Ankaraja ka kritikuar gjithashtu reagimin perëndimor ndaj sulmit në Ukrainë, duke thënë se sanksionet ndaj Rusisë duhet të synojnë ndalimin e luftës.

Ndërsa po përpiqet të forcojë lidhjet me Rusinë në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë, Turqia i ka shitur Kievit dronë ushtarakë, një vendim që ka zemëruar Moskën. Turqia, sektori i turizmit të së cilës mbështetet shumë tek turistët rusë, kundërshton gjithashtu politikat e Moskës në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014.

Më herët, zëdhënësi i presidentit turk Tajip Erdogan kishte thënë se ai do t’i kërkonte homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmin ndaj Ukrainës gjatë një telefonate që do ta zhvillojë me presidentin rus të dielën.

 

Fraksion.com