AktualitetTë fundit

187 punonjës policie në Dibër për të ruajtur objektet zgjedhore

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, përfundoi instruktazhin e punonjësve të policisë që janë të planizuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore që janë të përcaktuara për tu kryer procesi i votimit.

Në instruktazh ka marrë pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, dhe drejtues të tjerë të Policisë vendore.

Drejtori Skender Hita, i bëri apel punonjësve të policisë, që të tregojnë profesionalizëm dhe të kryejnë detyrat me përgjegjësi në mënyrë të barabartë, me paanshmëri politike, vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit, duke patur parasysh procedurat, për të cilat dhe janë trajnuar.

Secili punonjës policie është njohur dhe ka firmosur për detyrat që ka në këtë fazë të procesit si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik.

Marrja në ruajtje e objekteve fillon në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër është ngritur Grupi i Drejtimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave ” Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor” .Grupi i punës ka krijuar hartën digjitale, me emrat e punonjësve të policisë për çdo qendër votimi me përgjegjësit e tyre edhe numrat e telefonit. Kjo me qëllim që të kemi një komunikim real për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim do të kenë nevojë, t’i jepen orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit.

Në territorin e bashkisë Dibër janë 101 Qendra Votimi , të gjitha të mbuluara me punonjës policie.

Gjithashtu janë 14 Njësi Administrative, ku për çdo njësi administrative ka nga një përgjegjës grupi.

Për ruajtjen e këtyre objekteve janë angazhuar 187 punonjës policie.

Policia e Dibrës siguron qytetarët se është e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

“Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në nr 112 ose në Komisariatin Digjital, duke ju garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”, apelon Policia.

 

Fraksion.com