AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ta ngrejmë Shkodrën nga gjunjët ku e kanë ulur, demokratët alternativa që s’janë për të ardhmen

Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot qytetarëve të Shkodrës t’i besojnë Majlinda Angonit drejtimin e bashkisë, për të hapur dyert për bashkëpunim dhe shërbim ndaj qytetarëve, dhe jo për t’i ndarë qytetarët.

Në takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit që mbajti sot në Shkodër, Rama tha se ndryshe nga çdo bashki e vendit, në Shkodër nuk ka ndodhur asnjë ndryshim, dhe kjo për arsye të mungesës së bashkëpunimit nga ana e kreut të bashkisë.

“Kemi ardhur këtu, jo për të luftuar politikisht, por për t’i thënë Shkodrës: jemi gati ta pastrojmë Shkodrën nga plehrat, të transformojmë kopshtet, çerdhet, shkollat, siç i kemi transformuar kudo tjetër. Jemi gati të bëjmë më shumë për Shkodrën në çdo drejtim. Jemi gati të bashkëpunojmë me bashkinë e Shkodrës”, tha ai.

Rama theksoi se qeveria do të vijojë të investojë në Shkodër dhe se ishte gati ta ngrejë nga gjunjët ku e kanë ulur.

“Ju them këtu përmes jush, të gjithë atyre që në datën 6 kanë mundësi të votojnë, që kjo është një mundësi për të bërë ekzaktësisht atë që duan të bëjnë drejtuesit këtu, së bashku me të gjithë ju, ngritjen e Shkodrës nga gjunjët, nga një gjunjëzim që duket sapo hyn në Shkodër dhe kthimin e Shkodrës në një lokomotivë të punës e të ndryshimit për të gjithë qarkun, e pastaj natyrisht edhe për gjithë Shqipërinë sepse ja ku është Malësia e Madhe, dy hapa larg, pak më tutje, por jo dhe aq larg është Puka. Ja ku është edhe Vau i Dejës, një bashki shumë e vogël me mundësira shumë herë më të vogla se sa Shkodra dhe natyrisht është e pamundur që kur sheh se që të gjitha ishin pak a shumë në të njëjtën situatë, sot të tjerat ecin, ku më shumë e ku më pak, por ecin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë ato punë që mund të bëjmë si qeveri do të çojmë deri në fund punën me bajpasin, do të bëjmë transformimin e liqenit, siç e kemi premtuar, por natyrisht një zgjedhje si gjithmonë do të na krijojë pengesa. Ne nuk kemi kohë për të humbur me luftëra politike”, tha Kryeministri.

Rama u shpreh se problemet e komunitetit nuk janë as të majta e as të djathta, por kërkojnë njeriun e duhur për t’u zgjidhur.

“U them shkodranëve se Shkodra ka të majtë e të djathtë, ka më shumë të djathtë se të majtë, po plehrat, kushtet në shkolla, çerdhe nuk janë as kushte të majta, as të djathta. Problemet që ka komuniteti, njerëzit kur dalin nga shtëpia, banorët, edhe ata që janë në emigracion, nuk janë as të majta e as të djathta. Kush do t’i zgjidhë këto probleme, voton Majlindën. Kush thotë, mua nuk më interesojnë këto probleme, do të vazhdojë të jetojë mes plehrave, të marrë frymë në këtë bashki, ku mund të kishte shumë më tepër sot sesa çka në krahasim me dje dhe se e vetmja gjë që dua është që unë të luftoj komunizmin, nuk kemi çfarë ti bëjmë“, deklaroi Kryeministri.

Duke folur për kandidatët e opozitës, Kryeministri Rama tha se demokratëve të Shkodrës u duhet të zgjedhin mes dy alternativave që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen e të nesërmen e vajzave e djemve, fëmijëve të Shkodrës.

“Demokratëve të Shkodrës u duhet të zgjedhin mes dy alternativave që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen e të nesërmen e vajzave e djemve, fëmijëve të Shkodrës. Por kanë të bëjnë me luftën mes dy individëve, luftë personale, për qëllime krejt personale. Njëri se do të kthehet me çdo kusht nga bota tjetër dhe tjetri se me çdo kusht nuk do të iki aty ku e meriton. E të dy bashkë kanë sjellë dy kandidatë për të kërkuar vota qytetarëve, ndërkohë që nuk kanë lidhje fare me punën e nevojat e komuniteteve të këtyre bashkive”, tha Rama.

Rama theksoi se pavarësisht rezistencës që ka bërë bashkia, sërish qeveria ka investuar për zhvillimin e qytetit.

“Shkodra ka bërë gjithmonë të njëjtën zgjedhje dhe ka marrë të njëjtin rezultat tek jeta e përditshme, një rezultat në mos qoftë zero, është mizeral, në krahasim me shumë bashki të tjera të vendit. Dhe kjo nuk ka lidhje me do apo nuk do qeveria, sepse kemi bërë çfarë kemi mundur. Se ishte përpjekja jonë, madje shpesh edhe në kundërshtim me rezistencën pa kuptim të bashkisë, që u bë stadiumi i Shkodrës, që u rindërtua dhe restaurua Teatri, Muzeu i Fotografisë në respekt të dinastisë së madhe të Marubëve”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se më 6 mars qytetarët nuk do të shkojnë të zgjedhin mes alternativash politike, nuk do të shkojnë të zgjedhim mes Europës dhe SHBA, apo SHBA dhe interesave të njërit apo tjetrit. As për politikat e mëdha ekonomiko-politiko-shoqërore se për këto e kanë bërë zgjedhjen. Më 6 mars qytetarët do zgjedhin për ta pasur qytetin më të pastër apo më të pisët, për të pasur më shumë vëmendje për lagjet e tyre, apo për të vazhduar mes gropave që zgjerohen dhe shtohen në lagjet e tyre”, tha Rama.

 

Fraksion.com