Putin: Operacioni ushtarak rus në Ukrainë do të vazhdojë deri në arritjen e “detyrave”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka realizuar një bisedë telefonike me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, ku ka përsëritur se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës do të vazhdojë deri në arritjen e të gjitha objektivave të vendosura.
Kremlini njoftoi se në bisedë është diskutuar “rrjedha e operacionit special ushtarak të Rusisë për të mbrojtur popullsinë civile të Donbas-it”.
“Vladimir Putin theksoi se detyrat e operacionit, që po kryhet sipas planit, janë duke u zgjidhur dhe do të kryhen plotësisht”, theksoi Kremlini.
Sipas njoftimit, Lukashenko shprehu mbështetje për veprimet e palës ruse.
Të dy presidentët po ashtu diskutuan për raundin e dytë të negociatave midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës, të mbajtur në Bjellorusi dje, ku ranë dakord të vazhdojnë kontaktet. Moska dhe Kievi arritën mirëkuptim për krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve dhe shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve.
Putin nisi luftën më 24 shkurt për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, duke e cilësuar këtë inkursion masiv ushtarak rus një “operacion special ushtarak”.
Masa erdhi disa ditë pasi ai njohur rajonet Luhansk dhe Donetsk, dy enklava të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore, veprim që u ballafaqua me dënim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë në Ukrainë të paktën 249 civilë janë vrarë dhe 553 të tjera janë plagosur.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje./AA
Fraksion.com