AktualitetBota+Të fundit

Pakistan, 56 të vdekur nga një sulm me bombë në një xhami

Bëhet e ditur se 56 persona e kanë humbur jetën dhe 194 të tjerë janë plagosur në një sulm me bombë ndaj një xhamie që u përket shiitëve në qytetin Peshawar të Pakistanit.

Drejtori i policisë së rajonit Peshawar, Muhammed Ejaz Khan, njoftoi se një sulm me bombë ka ndodhur gjatë kohës kur besimtarët ishin mbledhur për namazin e xhumasë në xhaminë “Kucha Risaldar” në Peshawar.

Khan tha se ngjarja filloi me një sulm të armatosur ndaj policëve jashtë xhamisë, ndërsa agresorët e tjerë kanë shpërthyer bombën duke hyrë brenda xhamisë.

Ai potencoi se në sulmin ndaj policëve kanë humbur jetën një polic dhe një agresor si dhe është plagosur një polic tjetër.

Në një deklaratë nga Asim Khan, nga spitali Lady Reading në Peshawar njoftohet se në sulmin me bombë ndaj një xhamie të shiitëve në veriperëndim të vendit, kanë humbur jetën 56 persona ndërsa 194 të tjerë janë plagosur.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka dënuar sulmin ndaj xhamisë së shiitëve.

Ndërkohë edhe Sher Ali, një ish-ushtarak që ndodhej në xhami gjatë shpërthimit dhe që është plagosur u bëri thirrje zyrtarëve në vend që muslimanët shiitë në vend të mbrohen më mirë.

Teksa sulmi nuk është marrë përsipër nga askush, DEASH dhe talebanët e Pakistanit kanë kryer sulme të ngjashme në rajon./AA

 

Fraksion.com