AktualitetNATO/BETë fundit

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen mes përshkallëzimit të agresionit rus në Ukrainë

Ministrat e Jashtëm të NATO-s mbajtën një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel sot (4 mars 2022) për të adresuar krizën në përshkallëzim në Ukrainë. Atyre iu bashkuan Ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba iu drejtua homologëve të tij në një video-mesazh, në të cilin ai përshkruan përkeqësimin e situatës humanitare në vendin e tij.

Ministrat dënuan pushtimin brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidaritetin dhe mbështetjen për guximin e popullit ukrainas dhe forcave të armatosura. Ata trajtuan përgjigjen e menjëhershme të NATO-s ndaj krizës. Përveç mijëra trupave të tjera që aleatët kanë dërguar tashmë në pjesën lindore të Aleancës, NATO po vendos për herë të parë Forcën e saj të Reagimit, ajo ka mbi 130 avionë në gatishmëri të lartë dhe mbi 200 anije nga Veriu i Lartë në Mesdhe. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet për të siguruar dhe mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg. Ministrat e Jashtëm diskutuan gjithashtu nevojën për të mbështetur partnerët që mund të jenë në rrezik të përhapjes së luftës në Ukrainë, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën. “Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti”, tha zoti Stoltenberg, duke shtuar megjithatë se NATO ka “përgjegjësi për të siguruar që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme.”

Takimi ishte një mundësi për ministrat që të trajtonin gjithashtu implikimet afatgjata të agresionit të Rusisë për sigurinë euroatlantike. Sekretari i Përgjithshëm përsëriti se “agresioni i Rusisë ka krijuar një normalitet të ri për sigurinë tonë, ku parimet themelore kontestohen përmes përdorimit të forcës”. Në këtë normalitet të ri, ministrat ranë dakord se marrëdhënia e NATO-s me Rusinë ka ndryshuar rrënjësisht për një afat të gjatë, por ata mbeten të përkushtuar për të mbajtur kanalet diplomatike të hapura për të shmangur çdo përshkallëzim të paqëllimshëm, keqkuptim apo llogaritje të gabuar.

Pasditen e datës 4 mars 2022, z. Jens Stoltenberg mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Ky takim ishte një mundësi për Sekretarin e Përgjithshëm që të zhvillonte një shkëmbim jozyrtar me Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së mbi konfliktin në Ukrainë dhe t’i informonte ata mbi diskutimet që ministrat e NATO-s patën më herët po atë ditë. NATO dhe BE janë të bashkuar në dënimin e ashpër të agresionit rus kundër Ukrainës.

 

Fraksion.com