Mali i Zi dëbon një diplomat të ambasadës ruse në Podgoricë
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, njoftoi të premten, se ka shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Ministria e Jashtme, bëri të ditur se ambasadorit të Federatës Ruse i është dorëzuar një notë zyrtare për këtë vendim, ku theksohet se në afatin prej 72 orësh diplomati duhet të largohet nga territori i Malit të Zi.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Mali i Zi menjëherë i mbështeti sanksionet e BE-së ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, ka njoftuar se “për shkak të një lufte që po zhvillohet në Evropë duhet të veprohet me përgjegjësi maksimale dhe në interes të vendit”.
Edhe zyrtarët e lartë malazezë i kanë kritikuar veprimet e Rusisë, që sipas tyre cenojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane.
Ndërkohë, Mali i Zi ka nisur procedurën për marrjen e vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rus.
Nga ana tjetër partia pro-ruse, Fronti Demokratik dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, kritikuan reagimin e vendeve të perëndimit dhe të zyrtarëve të lartë malazezë për ngjarjet në Ukrainë, duke i quajtur Ata qeverinë edhe opozitën në Mal të Zi “marioneta të Perëndimit.”
Ndërkohë nacionalistët serbë në Mal të Zi mbajtën protesta në mbështetje të Rusisë me ikonografi ruse dhe serbe dhe me parulla kundër Ukrainës.
Mali i Zi, vitet e fundit ishte në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, të cilët bënë përpjekje për një grusht shteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016.
Gjykimi për grusht e shtetit në Mal të Zi u cilësua si “gjykimi i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit shtetëror në komplotin e dyshuar.
Fraksion.com