Japoni, 70 persona i përgjigjen thirrjes së Ukrainës për të qenë pjesë e “legjionit ndërkombëtar”
Shtatëdhjetë persona, kryesisht ish-anëtarë të Forcave Vetëmbrojtëse (SDF) në Japoni, i janë përgjigjur thirrjes së Ambasadës së Ukrainës për të luftuar kundër forcave ruse.
Përgjigjja erdhi pas thirrjes së fundjavës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky drejtuar të huajve për të qenë pjesë e “legjionit ndërkombëtar” kundër Rusisë.
Sipas transmetuesit publik NHK, Ambasada e Ukrainës në Tokio ka njoftuar se 70 shtetas japonezë, të moshës 20 deri në 60 vjeç, kryesisht ish-anëtarë të SDF-së, i janë përgjigjur thirrjes.
Ambasada ka hequr mesazhin me thirrjen në fjalë nga llogaria e saj në Twitter dhe në vend të kësaj njoftoi publikun se po kërkon vullnetarë nga fushat e shëndetësisë, parandalimit të fatkeqësive dhe komunikimit.
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp, kryesekretari i kabinetit Matsuno Hirokazu, në përgjigje të kësaj thirrjeje drejtuar qytetarëve japonezë, tha: “Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një rekomandim evakuimi për të gjithë Ukrainën. Ne duam që njerëzit të ndalojnë udhëtimet e tyre pavarësisht qëllimit”.
Thirrja për legjion
Zelenskiy nënshkroi një vendim në fillim të muajit i cili do të lejojë luftëtarët e huaj vullnetarë të cilët duan të mbështesin Ukrainën të hyjnë në vend pa viza.
“Nga 1 marsi është sjellë një regjim i hyrjes pa viza për të huajt që duan të anëtarësohen në Legjionin Ndërkombëtar të Ukrainës, përkohësisht gjatë periudhës së shtetrrethimit”, thuhej në vendim.
Më 27 shkurt, Zelensky u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të botës dhe miqve të Ukrainës që të mbrojnë Ukrainën dhe Evropën kundër agresionit rus.
Në vend është e mundur që të huajt të luftojnë vullnetarisht në ushtri që nga viti 2016, pasi ishte formuar një nënbashkim i të huajve i quajtur “Legjioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës”.
Siç thuhet, të interesuarit duhet të aplikojnë tek atashetë e mbrojtjes të ambasadave të Ukrainës në vendet e tyre./AA
Fraksion.com