Berisha nga Shkodra: Vota e 6 marsit shpresë për pranverën e madhe
Ish-Kryeministri Sali Berisha, nga Shkodra, ku zhvilloi takimin përmbyllës së fushatës për zgjedhjet e 6 marsit, tha se kjo fushatë ishte më e veçanta që nga viti 1992, pasi në lojë nuk janë thjesht 6 bashki, por pluralizmi shqiptar.
Berisha akuzoi Edi Ramën si armikun e Shkodrës dhe të gjithë veriut të vendit. “Në Ballkan, Europë dhe askërkund tjetër një të dytë si Shkodra nuk gjen. Ndaj beteja e Edi Ramës me Shkodrën është e humbur. Ai e ka humbur këtë betejë për shkak të mashtrimeve të mëdha, me përpjekjet e tij për të reabilituar ish-xhelatët e komunizmit. Ai e ka humbur këtë betejë për shkak të problemeve të tij psiqike. Me 6 mars Shkodra do ti japë përgjigjen më vendimtare për përpjekjet e tij”, tha Berisha.
Sipas tij, me 6 mars votohet për një pranverë shprese të madhe, votohet për të dëshmuar mbështetjen e madhe ndaj opozitës së vërtetë dhe pluralizmit në Shqipëri.
“Me votën tuaj ju çelni dyert për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Berisha, duke shtuar se me 6 mars shtrohet rruga për të ecur përpara në fitoren e Partisë Demokratike.
“Sot në të njëjtën orë pengmarrësi kishte marrë me vete edhe Lul Bravën apo Lul Kimikun. Kishin ardhur bashkë në mbështetjen e njëri-tjetrit, por të jeni të sigurtë se Shkodra do të firmosë dështimin e tyre”, tha Berisha. Ish-Kryeministri i drejtoi një thirrje shkodraneve dhe shkodranëve që të votojnë Bardh Spahinë, i cili do të jetë një avokat i shkëlqyer i interesave të qytetarëve.
“Do të realizojë një seri projektesh me mbështetjen e miqve që shtrihen në të gjitha skajet e Bashkisë. Me datën 6 mars shkoni masivisht në votime, votoni për pranverën e shpresës, jepini një shtytje të fuqishme revolucionit demokratik paqësor, i cili do të rikthejë pluralizmin e vërtetë”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje të pranishmëve që në këto dy ditë takoni çdo njeri, thojini të votojnë për kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, mos u mashtroni nga hijet e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, mos u mashtroni nga ata që ju blejnë votat, por votoni për shpresën dhe dinjitetin.
Fraksion.com