AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Më 6 mars t’i japim Shkodrës shpresën dhe besimin tek e nesërmja

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin përmbyllës të fushatës së kandidatit të PD për bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati, tha se ai është bërë zëri i qytetarëve.

“Në këto zgjedhje, kujdestarit i kemi vënë fytyrën tuaj, fytyrën e qytetarit, të guximtarit, fytyrën e Xhemal Bushatit, birit shkodran dhe demokratit shkodran, i cili edhe në këtë rrethim ku ndodhemi është bërë zëri juaj, shpresa juaj për të mos e lejuar Shkodrën të bjerë në errësirë, por për të qëndruar të gjithë bashkë, për të rikthyer shpresën tek e nesërmja që po vjen dhe që askush nuk mund ta ndalë”, deklaroi Basha

Ai u bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të votojnë masivisht.

“Më 6 mars, këtë energji që kemi mbledhur ditë pas dite, orë pas ore, ta derdhim vrullshëm, askush të mos qëndrojë mënjanë. Të gjithë bashkë për të çarë dhe njëherë rrethimin e të keqes, për ti dhënë Shkodrës dhe nga Shkodra gjithë Shqipërisë, shpresën dhe besimin tek e nesërmja që po vjen, tek ndryshimi që po vjen dhe që nuk ka forcë që ta ndalë”, tha ai.

Basha vlerësoi qëndresën shkodrane, forcën e pathyeshme kundër së keqes ndër vite.

“Para se të shkelja në Shkodër për herë të parë në jetën time, kam lexuar një libër të famshëm për historinë e Shkodrës për një nga kronikanët më të famshëm të kohërave, shqiptar dhe mesdhetar, Marin Barleti, ‘Rrethimi i Shkodrës’. Botimin e mbaj mend si sot, kishte një kopertinë të fortë e të gjelbër, mbi të cilën ishte gdhendur me ngjyra të zeza kalaja e Rozafës dhe më la mbresa të jashtëzakonshme. Nuk kam qenë ndoshta në moshën e duhur për ta kuptuar plotësisht atë vepër, atë rrëfim mbi qëndresën e Shkodrës dhe mbi qëndresën e shkodranëve, por e di se më ka frymëzuar dhe më ka lidhur që në momentet e para për të qenë një ditë në këtë qytet, dëshirë që m’u plotësua 2 apo 3 vite më vonë. Gjeta një Shkodër nën komunizëm, të rrethuar nga terrori, të rrethuar nga mjerimi që komunizmi kishte shtrirë anembanë vendit. Por ndryshe nga Tirana prej nga isha nisur, një kampionat grumbullimi volejbolli, i cili për ironi të fatit luhej në pallatin e atëhershëm të sportit, tek Katedralja e sotme të Shkodrës, këtu gjeta diçka tjetër. Gjeta edhe shtigjet me të cilat shkodranët e kishin çarë rrethimin komunist, humorin e tyre, shpotinë e tyre, guximin e tyre. Me fjalë dhe me sy, shkodranët kishin nisur të krijonin çarjet e para në murin rrethues të diktaturës komuniste. Të rrethuar e kam gjetur Shkodrën, edhe nga uji dekada më vonë. Qytetin, fshatrat, komunat buzë lumenjve dhe buzë liqenit. E kam gjetur të rrethuar këto 8 vite nga padrejtësia, e kam gjetur të rrethuar nga varfëria, e kam gjetur të rrethuar nga represioni policor mbi të pafajshmit, e kam gjetur të rrethuar nga padrejtësia. Por sa herë kam qenë në vendin tuaj, ashtu si në atë vizitë të parë, kam parë në sytë tuaj vendosmërinë për mos t’iu dhënë rrethimit dhe rrethuesve. Për të qëndruar, për ta plasaritur murin e rrethimit, me zemrat tuaja plotë me shpresë, me qëndresën legjendare shkodrane, me forcën e pathyeshme të fjalës shkodrane, me forcën e pathyeshme të bashkimit të zemrave të Shkodrës kundër të keqes, çka ka bërë që dhe në ditët më të errëta për shoqërinë dhe për kombin tonë, prapëseprapë çdo shqiptar sytë t’i kthejë nga i vetmi fanar që nuk shuhet kurrë, Shkodra e qytetarisë, Shkodra e qëndresës, Shkodra e kulturës, Shkodra e shqiptarisë”, deklaroi ai.

 

Fraksion.com