AktualitetBota+Të fundit

“Tregoi për pushtimin e Moldavisë”; A e shpalosi aksidentalisht Lukashenko cakun e ardhshëm të Putinit?

Duket se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, aksidentalisht ka treguar se forcat ruse të Vladimir Putinit po planifikojnë të pushtojnë edhe Moldavinë. Në një adresim të Këshillit të Sigurisë, Lukashenko është parë para një harte që dukej se tregonte një sulm të planifikuar nga Ukraina lindore në Moldavi, ish-republikë Sovjetike në kufi me Ukrainën dhe Rumaninë.

Harta tregon edhe planet e ushtrisë ruse përreth Ukrainës. Aty shpjegoheshin në detaje vijat e sulmit në Ukrainë, disa prej të cilave ndodhën në ditët e para të sulmit, si ai në Kiev nga veriu dhe në Kherson nga Krimeja.

Por disa nga sulmet ende s’kanë ndodhur – një nga to shihet si planifikim për drejtim kah Moldavia nga Odesa, duke sugjeruar planet e Rusisë për të marshuar tutje.

“Në seancën e sotme të Këshillit të Sigurisë, Lukashenko shfaqi atë që duket si harta e vërtetë e pushtimit. Ajo tregon infrastrukturat ushtarake ukrainase të shkatërruara nga raketat nga Bjellorusia dhe drejtimet e sulmeve (të gjitha të kryera, pos asaj të Odesë-Transnistrisë). Po ashtu, Ukraina shihet e ndarë në katër pjesë”, ka shkruar gazetari bjellorus, Tadeusz Giczan në Twitter.

Ushtria e Rusisë është duke vazhduar me sulmet në qytete të ndryshme të Ukrainës. Rusia ka thënë se tashmë i ka marrë nën kontroll disa qytete të mëdha, por kjo është mohuar nga Ukraina.

Bjellorusia dhe Serbia janë dy vendet e vetme në Evropë që s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

 

Fraksion.com