AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Dy persona që kacafyten me njëri-tjetrin për interesa personale

Kryeministri Edi Rama duke folur për opozitën në Lushnjë tha sot se “dy persona po kacafyten me njëri-tjetrin për interesa personale”.

Në një komunikim me qytetarë të Lushnjës për Këshillimin Kombëtar, Rama tha se “në këtë bashki, në Lushnjë, ju keni mundur të njiheni jo vetëm si emër apo vetëm si një aktiviste dhe një punonjëse të përkushtuar Eriseldën, por edhe si drejtuese të bashkisë. Patjetër që në këtë zgjedhje ma ha mendja se nuk është e vështirë për të kuptuar se cili është personi i duhur, jo se kam ndonjë gjë me dy të tjerët, as nuk i njoh kush janë, por është ajo shprehja ‘më thuaj me kë rri, të them se cili je’”.

“Mjafton fakti që njërin e ka nxjerrë nga vrima e bravës, tjetri bishti i varesë, për të mos pasur asnjë iluzion se në rastin e tyre ata janë aty për politikë personale. Mes atyre dy të tjerëve në Tiranë që kacafyten me njëri-tjetrin për interesa personale, njëri mazallah se do të iki, tjetri do të kthehet me se s’bën, hall i madh për të dy palët”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk është njësoj. Edhe tani këtu në 6 mars nuk është njësoj. Është shumë ndryshe nëse zgjidhet Eriselda apo njëri nga ata dy të tjerët. Është shumë ndryshe. Është shumë ndryshe nëse zgjidhet dikush që do merret me punët e qytetit, me punët e fshatit në këtë bashki, që do mundohet t’i shërbejë njerëzve sa më mirë, që do mundohet t’i japë njerëzve sa më shumë nga ajo që u ka munguar ndoshta për disa  kohë këtu, që është begenisja dhe respekti i pushtetit vendor dhe nëse zgjidhen dy të tjerë që janë këtu vetëm si ambasadorë të një sherri pafund që është në Tiranë e që nuk kanë lidhje fare me qytetin, që nuk kanë lidhje fare me punët e punës, sado të mirë të jenë në vetvete si persona. Fakti që kanë pranuar të bëhen bedelë të atyre dy rrymave të krijuara atje nga një sherr komplet personal, i zhvleftëson si shërbëtorë të qytetit. E ça do bëjnë ata, cilido prej tyre?! Çfarë do bëjnë?!”

“Do dalin këtu t’ju flasin për bravën apo do dalin t’ju thonë sa e rëndësishme është të marrim varenë, prandaj ky është një  rast për të parë që nuk është njësoj çdo gjë në politikë, nuk janë njësoj zgjedhjet që bëjmë me këtë apo me atë, me kta apo me ata ndërkohë që njerëzit janë njësoj, në kuptimin që qytetarët janë të barabartë dhe edhe Këshillimi Kombëtar është një përpjekje qytetarëve për të thënë fjalën e tyre dhe që fjala e tyre të dëgjohet”, tha Rama.

 

Fraksion.com