AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ballkani i hapur, sot edhe më i rëndësishëm se sa ishte dje, koha do ta tregojë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Lushnja se “Ballkani i Hapur nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme, në aspektin e aleancave, të partneriteteve e të tjera, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara dhe sot në kushtet e kësaj që ndodh, është edhe më i rëndësishëm se sa ishte dje në këndvështrimin tim dhe koha do ta tregojë këtë gjë”.

Në një komunikim me qytetarë të Lushnjës për Këshillimin Kombëtar, Rama theksoi se “këto ditë kam parë disa që qysh në fillim kanë qenë kundërshtarë të Ballkanit të Hapur, tani janë kapur shumë fort mbas ngjarjeve që po ndodhin a thua se ne që kemi marrë këtë nisëm nuk e kemi ditur se çfarë është Rusia, se cilat janë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe a thua se Ballkani i Hapur është miqësia e dikurshme shqiptaro-kineze”.

Ndërkohë që Ballkani i Hapur, vijoi Rama, nuk bën asgjë tjetër përveç se lehtëson njerëzit të cilët edhe sot që flasim ne, por edhe dje kur as nuk ishte folur ndonjëherë për Ballkanin e Hapur, zhvillonin aktivitet në këtë rajon, në këtë Ballkan.

“I kam nxjerrë me shifra, sa janë sipërmarrje shqiptare, për shembull në fushën e bujqësisë, që eksportojnë në zonën e Ballkanit, që eksportojnë në Maqedoninë e Veriut, që eksportojnë në Serbi, që eksportojnë në Bosnje e kështu me radhë. Janë plot. E çfarë bën Ballkani i Hapur? Thjesht ju jep atyre mundësinë që të eksportojnë pa pasur tmerrin dhe torturën e radhëve dhe të kontrolleve nga dy herë e nga tre herë në çdo kufi. Pra të nisen nga pika ku ngarkohen, ku ngarkojnë perimet, frutat dhe të arrijnë në pikën për ku do shkarkohen. Pa pasur nevojë që në çdo kufi të tregojnë dokumente, të marrin vërtetime e të tjera e të tjera. Nëse një eksportues këtu në Lushnjë çon produktet e veta në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi në këtë rast dhe merr nga këtu vërtetimin përkatës, ato certifikatat përkatëse për gjendjen dhe cilësinë e mallit, duhet të shkojë në kufi, në Maqedoninë e Veriut, të persi atje që të marri dhe atje, të shkojnë ti bëjnë analizat laboratorike mallit, të vijë përgjigja, pastaj duhet të shkojë në kufirin tjetër, të presë të njëjtën gjë dhe kur të arrijë atje në fund, shalqiri ose pjepri ose domatja të jenë bërë komposto ose të jenë bërë tushi. E mora këtë si shembull por ky shembull vlen për të gjitha të tjerat. Ne nuk po ndryshojmë trajektoren e politikës sonë të jashtme në aspektin e qëndrimit ndaj asnjërit prej fqinjëve ose në raport me aleancat që njëri ka e tjetri nuk ka. Fare!”, theksoi Rama.

Rama tha se “ne thjesht dhe vetëm po përpiqemi të përmirësojmë kushtet e veprimtarisë ekonomike të njerëzve që aktualisht veprojnë, që aktualisht shkëmbejnë e natyrisht dhe të të tjerëve që do të duan të veprojnë e të shkëmbejnë. Pyetini eksportuesit shqiptar. Të gjithë ata eksportues shqiptar që operojnë në Ballkan, çfarë mendojnë për Ballkanin e Hapur? Mezi presin që të gjitha këto të zbatohen sepse akoma janë në procese të ndryshme zbatimi. Mezi presin sepse do shkurtojnë kohë, do shkurtojnë kosto, do kenë më pak stres dhe do shkojnë në destinacion. Nuk është se ne me ndonjë nga këto vende kemi ndonjë bojkot apo ndonjë embargo apo ndonjë ndalesë për ndonjë mall apo ndonjë mall tjetër. Normalisht, jo sot, as dje, por gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar deri tani, përjashto kohën e embargos nën jugosllavi për shkak të luftës, marrëdhëniet tregtare janë zhvilluar brenda kuadrit të përgjithshëm. Pra nuk është se ne ndryshojmë ndonjë kuadër këtu, ne thjesht e bëjmë më të lehtë punën e njerëzve dhe prandaj ata të cilët kanë këto shkëmbime, janë shumë jo të kënaqur por janë dhe mosbesues se thonë do bëhet apo nuk do bëhet?”

“Ndërsa ata të tjerët që thonë ne do ndalojmë Ballkanin e hapur, çfarë do ndalojnë? Se duhet thënë çfarë do ndalojnë. Kjo është pyetja. çfarë do ndalojnë? Kamionët? Po kamionët të ndaluar janë se rrinë dhe presin me orë të tëra për tu ç’doganuar. Çfarë do bëjnë? Do ti lënë më gjatë në pritje? Po pse? Për cilën arsye? Kjo është tregti e lirë. Kamionët që vijnë nga andej apo që nga këtej shkojnë andej, nuk janë kamionë që kontraktohen nga shteti. Janë kamionë të kontraktuar në marrëveshje mes sipërmarrjes private. Si do sillen me të gjithë pjesën tjetër të botës. E çfarë do me thënë do ndalojmë Ballkanin e Hapur? Këtu natyrisht futet politika, në këtë rast, për të ndarë. Për të ndarë për çfarë? Për vota. Për ta përdorur popullin si mish për top. “Hajdeni tani me mua të luftojmë Ballkanin e Hapur. Se po ndodh diçka shumë e keqe.” Po çfarë po ndodh konkretisht? Cila është e keqja që po ndodh? Ukraina nuk e ka njohur Kosovën. Ukraina nuk e ka mbështetur Kosovën në kohën e luftës, përkundrazi, Ukraina ka qenë asokohe në një vijë me Rusinë. Sot jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por dhe shqiptarët e Kosovës janë në një solidaritet të plotë me Ukrainën dhe kjo është shumë domethënëse”, shtoi Rama.

Pavarësisht, vijoi Rama, se kur ishin viktima të një agresioni të ngjashëm si dy pika uji me këtë agresion, prej të cilit populli i Ukrainës dhe lidershipi i Ukrainës po rrezikojnë të asgjësohen fizikisht, nuk e patën të njëjtën simpati, nuk e patën të njëjtën mbështetje, nuk e patën të njëjtin solidaritet nga Ukraina.

“E çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që superioriteti moral në këtë rast në raport me të shkuarën, është në anën e shqiptarëve. Në anën e shqiptarëve të Kosovës që ishin viktima të një agresioni të ngjashëm. Pra, e kanë superuar të kaluarën e tyre në raport me Ukrainën dhe sot e shikojnë Ukrainën, shikojnë njerëzit në Ukrainë, i shikojnë ukrainasit si veten e tyre asokohe. E them këtë sepse kam parë, kam parë dhe nga ata që thonë “ata, ne kështu, kur ne ishim ashtu”, por kjo është të jesh inferior ndaj të kaluarës tënde. ndërkohë që ai solidaritet fantastik i shprehur është superioritet në raport me të kaluarën, është kapërcim i të kaluarës dhe ne kemi punuar, punojmë e do punojmë deri në fund për paqen dhe për t’i çuar gjërat përpara me paqe, jo se jemi naivë, as se nuk e kuptojmë se çfarë sjellin miqësitë e rrezikshme, siç është një miqësi me një vend i cili tanimë është futur në një hulli shumë të rrezikshme për veten dhe për botën, por sepse gjërat në këtë botë mendoj unë, ka shumë rëndësi se si i shohim në funksion të të ardhmes. Nëse e shohim të ardhmen me sytë e të shkuarës, atëherë kemi shumë të vështirë ta shkruajmë të ardhmen. Nëse të shkuarën e shohim si një arsye që të mos përsëritet në të ardhmen, atëherë ne mund ta shkruajë të ardhmen por e gjithë kjo pjesë politike që thashë, është më shumë një reflektim nga çfarë kam ndjekur këto ditë në një debat po themi popullor nëpër rrjetet sociale, nga njerëz të zakonshëm, ku ka dhe një pjesë fatmirësisht shumë të vogël që thotë që ne duhet t’jua kthejmë kusurin ukrainasve”, tha Rama.

 

Fraksion.com