AktualitetOp-EdTë fundit

Opinioni në DW: Joe Biden – ndoshta personaliteti i fundit i madh transatlantik në Shtëpinë e Bardhë

Nga Ines Pohl

 

Presidenti amerikan është në vështirësi. E megjithatë, në fjalimin e tij të parë për gjendjen e kombit, Joe Bideni sakrifikoi kapitalin e brendshëm politik për marrëdhëniet transatlantike

Në kohën kur Joe Bideni, Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, mban fjalimin e tij të parë për Gjendjen e Bashkimit, qindra mijëra vetë në Evropë ndodhen në arrati. Askush nuk mund të thotë se sa njerëz po vdesin, në kohën kur ai flet. Të vrarë në një luftë të nisur nga një president rus i cili ka humbur arsyen, në megalomani prapakthyese.

Ashtu si në deklaratat e tij të ditëve të mëparshme, fjalët e amerikanit gati 80-vjeçar duken pjesërisht të huazuara nga arkivat e Luftës së Ftohtë. Bideni flet për forcën që vjen nga uniteti me aleatët, kërcënon agresorin moskovit dhe mbron vlerat themelore demokratike. Ai flet për kohezionin dhe sakrificat dhe shpjegon politikën e tij të sanksioneve që synojnë të godasin ekonominë ruse.

Sondazhe të mjera

Biden korr duartrokitje euforike, edhe në radhët e republikanëve. Kush nuk do të donte të festonte guximin e ukrainasve dhe forcën e superfuqisë amerikane në një moment kaq tragjik të historisë. Retorika luftarake e mbrojtjes së çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s varet nën kupolën e ndërtesës së Parlamentit. Por kjo festë egocentrike e fuqisë vetjake ushtarake është vetëm një fotografi kalimthi e momentit.

Sepse në fakt, Joe Bideni kishte planifikuar diçka krejt të ndryshme për këtë fjalim të rëndësishëm: deri në vitin e ri, ai më në fund donte të fitonte pikë. Vetëm tetë muaj para zgjedhjeve të mesme, të cilat mund ta bëjnë atë të humbasë të gjithë hapësirën politike për manovrim, ai, popullariteti i të cilit është jashtëzakonisht i ulët (41%) donte të fliste për sukseset e tij: luftën kundër koronës, rritjen ekonomike dhe zhvillimet pozitive në tregun e punës. Ai donte të festonte veten si presidenti i parë që emëroi gruan e parë me ngjyrë në postin më të lartë. Dhe se ai mbajti premtime të rëndësishme, si nisja e paketës së madhe të infrastrukturës. Natyrisht, ai flet edhe për këto këtë natë – duke marrë duartrokitje euforike edhe atje, por kryesisht brenda radhëve të tij.

Por ajo që ka vërtet rëndësi për votuesit është vendimi i tij për ta vendosur luftën për rendin demokratik të pasluftës në Evropën e largët mbi interesat direkte kombëtare. Pranimi që efektet e sanksioneve të bëjnë që çmimi i benzinës të shpërthejë në vendin tënd. Që të vazhdojë të rritet norma e inflacionit, e cila tashmë është te shtatë për qind në shkallë vendi, dhe ta bëjë jetën edhe më të vështirë për miliona amerikanë.

Armiku i frikshëm, Rusia, u zëvendësua nga Kina

Bideni pranon që populistët në Partinë Republikane të kenë në fund sukses që luftën e tij kundër krimeve të luftës të Putinit ta përdorin kundër tij – si municion për fushatën e tyre të frikës “Amerika e para”. Fillimisht në zgjedhjet e mesme, pastaj në zgjedhjet presidenciale.

Joe Biden është i bindur, si shumë nga brezi i tij, se në rast nevoje Amerika duhet të qëndrojë e lidhur ngushtë me aleatët e saj evropianë. Brenda Shteteve të Bashkuara, shumë i shohin gjërat ndryshe. Armiku i frikshëm që është Rusia është zëvendësuar nga Kina. Për shumicën e amerikanëve, lidhja transatlantike me kontinentin e vjetër nuk është më në plan të parë. E ardhmja po luhet në Azi. Dhe Evropa më në fund duhet të kujdeset për veten.

Joe Bideni ka 50 vjet që është në politikë. Ai mund të jetë personaliteti i fundit i madh transatlantik në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka nevojë të mendojmë fantazmën e frikshme të Donald Trumpit: Pavarësisht se kush do ta pasojë Bidenin, prioritetet politike të Shteteve të Bashkuara do të zhvendosen. Do të ishte mirë që Evropa më në fund të fillonte të përshtatej me këtë.

 

Fraksion.com