Nafta arrin në 111,20 dollarë për fuçi, rekord nga 2013-a
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia provokoi rritjen e çmimit të naftës Brent në 111,20 dollarë për fuçi, sot në orën 09:55 GMT të mërkurën, ndërsa WTI u rrit 6,01% në 109,60 dollarë pasi kaloi për pak kohë pragun e 110 dollarëve, një rekord që nga viti 2013.
Ekonomia e Arabisë Saudite, e cila mbështetet kryesisht në eksportet e naftës, kishte vuajtur shumë nga rënia e çmimeve të naftës në tregjet botërore që nga viti 2014.
Të hënën, Arabia Saudite konfirmoi dëshirën për të stabilizuar dhe balancuar tregjet e naftës.
Aksionet e gjigantit saudit të naftës ”Aramco” arritën një rekord të ri sot mes çmimeve të larta të naftës për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Aksionet e ”Aramco” u tregtuan sot me 10,3 euro në Riad, sipas faqes së internetit Tadawul, bursës së Arabisë Saudite, një monarki e pasur me naftë e Gjirit dhe aksionere e shumicës së bizneseve.
Eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, ”Aramco” u fut në bursën e Riadit në dhjetor 2019.
Aksionet e tij në atë kohë vlenin 7,7 euro.
Ndërkohë, dy çmimet standarde të naftës, Brent nga Deti i Veriut dhe Amerikan West Texas Intermediate (WTI), nuk kanë reshtur së rrituri.
Fraksion.com