AktualitetEkonomiTë fundit

Mbi 3600 fermerë pajisen me NIPT, kriter për të përfituar nga skemat mbështetëse

Fermerët po rrisin interesin nga viti në vit, për t’u formalizuar dhe pajisur me NIPT, si kriter kryesor për të përfituar nga skemat e mbështetjes në Bujqësi, por edhe si një procedurë e lehtësuar pa asnjë detyrim tatimor për t’u paguar.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm në dy muajt e parë të vitit që i paraprijnë hapjes së aplikimeve për Skemën Kombëtare të Subvencioneve 2022, janë pajisur me NIPT 3 674 fermerë.

Aktualisht në sektorin rural janë 66.642 fermerë aktivë, teksa numri i fermerëve të pajisur me NIPT, po vijon të rritet vit pas viti.

Krahasuar me vitin 2018, rezultojnë të regjistruar mbi 25 mijë fermerë të formalizuar në një periudhë 3-vjeçare.

Agjencia Zhvillimin Bujqësor dhe Rural hapi më 25 shkurt aplikimet për 13 skema mbështetëse në bujqësi, me një fond total prej 3.2 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1 miliardë lekë do të shkojnë për naftën falas në bujqësi.

 

Fraksion.com