AktualitetKosovaTë fundit

Kosova themelon Fondin e Sigurisë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës njoftoi se me autorizim të kryeministrit, Thesari i Kosovës ka hapur një llogari bankare zyrtare për pranimin e mjeteve të dedikuara për Fondin e Sigurisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook se në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatën aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë ka autorizuar Ministrinë e Financave që të themelojë Fondin e Sigurisë.

“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij. Po ashtu bëri thirrje qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se sipas autorizimit të kryeministrit, Thesari i Kosovës ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të cilat dedikohen për siguri – Fondi i Sigurisë.

“Përmes këtij Fondi mundësohet pranimi i donacioneve të mërgatës sonë si dhe çdo qytetari që është i interesuar të kontribuojë. Llogaria është funksionale nga sot 2 mars 2022 dhe të gjitha transferet mund të realizohen brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në sajtin e kësaj ministrie.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, përshëndeti themelimin e Fondit të Sigurisë, duke theksuar se kujdesi për sigurinë e qytetarëve nuk nënkupton pasiguri për të tjerët.

Mehaj u bëri thirrje të gjithëve që mund të jenë donatorë të Fondit të kontribuojnë për lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.

 

Fraksion.com