AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha në Dibër: Politika shpopulluese për veriun

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë Dibër, Premtim Kryemadhi zhvilluan sot një takim përmbyllës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Dibër.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Edi Rama ka dëbuar shqiptarët dhe ka diskriminuar veriun e vendit.

“Demografia e vendit u përmirësua deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri më sot, kemi eksodin e dytë masiv. 530 mijë shqiptarë braktisën vendin, të diktuar nga politikat antipopullore dhe diskriminuese të kësaj qeverie”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se kjo bashki ka ndërruar 5 kryetarë dhe është e falimentuar financiarisht.

“Po ndërtohet rruga e Arbit dhe thotë do vendos traun. Pse e vendos traun? Ta paguajnë dibranët? Po qindra dollarë krom dhe minerale të këtij rrethi që i kanë shërbyer gjithë Shqipërisë ku janë? Se llogaritë i bëjnë në mënyrë raciste. Nxjerr konkluzionin te shprehja e tyre se Kukësi ka marrë mjaft. Rruga e Kombit i jep çdo vit 350 milionë euro ekonomisë, kurse këta sapo erdhën në pushtet thonë se Kukësi ka marrë mjaft dhe tani Dibra ka marrë mjaft dhe t’i vëmë traun. Edhe sot Dibra jep miliona tonë krom dhe kaskada e Drinit jep miliarda kilovat e nuk llogariten. Pra është e qartë, një politikë shpopulluese për tërë Shqipërinë dhe në veçanti për veriun”, tha ai

Berisha iu bëri thirrje qytetarëve të mbështesin kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”.

Nga ana e saj, kryetarja e LSI-së Monika Kyemadhi u shpreh se “përgjegjësia e ne dibranëve që jetojmë në Tiranë është shumë e madhe për situatë që është sot në Dibër, sepse duhet të kishim qenë më të vëmendshëm”.

“Sot, Dibra ka retë e zeza mbi kokë, dhe është koha për t’i larguar ato re. Dibranët nuk e ulin kokën asnjëherë, por shpopullimi që i ka ndodhur Dibrës është i jashtëzakonshëm, gjë e cila e varfëron vendin tonë në njerëz”, tha ajo.

 

Fraksion.com