Evropa krijon korridorin humanitar për refugjatët ukrainas
Rreth gjysmë milion refugjatë kanë mbërritur në territorin polak nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus të ish-republikës sovjetike javën e kaluar, sipas zyrtarëve në Varshavë.
“Ne jemi të detyruar të ndihmojmë fqinjët tanë dhe po e bëjmë këtë. Kemi krijuar një korridor humanitar dhe kemi përshpejtuar të gjitha proceset që mund të përshpejtojmë nga ana jonë”, theksoi kryeministri polak Mateusz Morawiecki përpara një vizite të përbashkët në kufirin e Korçovas, me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Mikpritja polake u vlerësua nga papa Françesku, i cili theksoi nga Vatikani se ”ju ishit të parët që mbështetët Ukrainën, duke hapur kufijtë, zemrat dhe dyert tuaja për ata ukrainas që ikin nga lufta”.
Michel theksoi se ”ishte e rëndësishme që të gjitha vendet anëtare të BE të tregojnë solidaritet gjatë krizës në Ukrainë që po shpaloset dhe të bëjnë çmos për të treguar mbështetje për ukrainasit që ikin nga sulmet ruse”.
Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që qindra mijëra civilë të ikin në Perëndim për t’i shpëtuar luftimeve.
“Polonia po ndihmon të gjithë njerëzit që ikin nga lufta, të gjithë refugjatët e luftës, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës”, theksoi Morawiecki.
Ai gjithashtu u bëri thirrje refugjatëve që të injorojnë propagandën ruse se si do të trajtohen në kufi.
Ai iu referua imazheve të shpërndara së fundmi në median sociale, në të cilat njerëzit me origjinë afrikane ankoheshin se ishin të detyruar të prisnin në kufi, ndërsa refugjatët e tjerë me origjinë evropiane mund të kalonin.
”Polonia nuk është destinacioni i vetëm për refugjatët. Rreth 120 000 kanë udhëtuar në Rumani, megjithëse më shumë se gjysma kanë udhëtuar tashmë në vende të tjera, duke lënë rreth 46 000 ende në Rumani”, theksoi kryeministri rumun, Nicolae Ciuca.
Edhe Republika Çeke thotë se kanë regjistruar 20 000 të ardhur nga Ukraina që nga fillimi i krizës.
”Vala e refugjatëve po rritet. Ne jemi një vend destinacioni”, theksoi kryeministri Petr Fiala duke vënë në dukje se ”vendi kishte krijuar linja telefonike emergjente dhe kërkonte qendra rekrutimi në të gjitha rajonet administrative”.
Ndërkohë, Deutsche Bahn raportoi se ajo dhe operatorë të tjerë hekurudhor evropianë kishin vendosur 40 trena ndërkombëtarë të shpejtësisë së lartë për të transportuar refugjatët që mbërritën në Austri, Republikën Çeke, Poloni në Gjermani.
Udhëtimi është falas, ashtu si dhe udhëtimet e vazhdueshme për ata që duan të bëjnë në vende si Belgjika, Danimarka, Franca, Luksemburgu, Holanda apo Zvicra.
Fraksion.com