AktualitetBota+Të fundit

SHBA dëbon 12 diplomatë rusë në OKB

SHBA ka bërë të ditur se po dëbon 12 diplomatë rusë në Kombet e Bashkuara (OKB) për përfshirje të dyshuar në aktivitete spiunazhi.

“SHBA ka informuar misionin rus se ne po fillojmë procesin e dëbimit të 12 operativëve të inteligjencës nga misioni rus, të cilët kanë abuzuar me privilegjet e tyre të qëndrimit në SHBA duke u përfshirë në aktivitete spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë tonë kombëtare”, njoftoi në rrjetet sociale Olivia Dalton, zëdhënëse e Misionit të SHBA-së në OKB.

Dalton tha se ky veprim po merret “në përputhje me marrëveshjen e selisë qendrore” dhe se aksioni i sotëm ka disa muaj që po punohet.

Duke folur me gazetarët në selinë e OKB-së, i dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha se do të ketë një përgjigje nga Moska ndaj lëvizjes së SHBA-së.

“Sepse është një praktikë diplomatike që parashikon lëvizje të ndërsjellë. Nuk e kemi inicuar. Mendoj se përgjigja do të jepet, por nuk më takon mua të vendos”, tha Nebenzia.

Rusia është kritikuar ashpër nga Perëndimi, përfshirë nga SHBA-ja, për sulmin ndaj Ukrainës që nga e enjtja. Veprimet ushtarake të Moskës kanë shkaktuar sanksione dhe dënime globale.

 

Fraksion.com