Rama publikon fotoalbumin e takimeve në Londër
Kryeministri Edi Rama publikoi fotoalbumin e takimeve që zhvilloi sot në Londër në Samitin e BERZH për Investimet në Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Edi Rama gjatë këtij Samiti deklaroi se, “Shqipëria konsiderohet si një parajsë e turizmit dhe investimit në turizëm”.
Rama tha se, “Shqipëria është prej shumë pak vendeve që vijon të ruajë të njëjtin çmim energjie për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, si para krizës”.
Kryeministri theksoi se “po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për ta mbajtur në këtë linjë, edhe pse trendi po shkon në kah të kundërt”.
Kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu një takim në Londër me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
Rama informoi se, në takim u diskutua për rritjen e mëtejshme të investimeve në kuadrin e Planit Ekonomik të BE për rajonin, si edhe për situatën në Ukrainë e në rajon dhe procesin e Integrimit Evropian.
Rama gjithashtu u takua edhe me presidenten e BERZH, Odile Renaud-Basso.
Gjatë këtij takimi u diskutua për projektet tanimë të miratuara të investimeve, Bajpasi i Tiranës, hekurudha Vorë – Hani i Hotit, Parku Fotovoltaik i Lundrueshëm në Vaun e Dejës dhe përshpejtimin e procesit për gazsjellësin Adriatiko-Jonian.
Në Londër Rama zhvilloi edhe një takim me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Qëllimi i këtij Samiti ishte të evidentonte mundësitë për investime dhe biznes në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe të promovonte projekte rajonale dhe ndërkufitare. BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit.
Fraksion.com