Media bjelloruse: Minsk nuk do t’i bashkohet operacionit rus në Ukrainë
Bjellorusia nuk ka plane t’i bashkohet operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenka, u ka thënë mediave shtetërore se forcat e këtij shteti nuk do t’iu bashkohen trupave ruse në pushtimin në Ukrainë.
Lukashenka, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se “ushtria bjelloruse nuk është duke marrë pjesë dhe as nuk ka marrë pjesë në aksion ushtarak”.
“Mund t’ia vërtetojmë këtë secilit. Për më shumë, udhëheqësia ruse nuk e ka ngritur kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Ne nuk synojmë të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen. Nuk ka nevojë”.
Shqetësimet janë rritur të hënën se Lukashenka është duke u përgatitur për të dërguar forcën ushtarake për t’iu bashkuar sulmit në Kiev.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë të hënën se Rusia është “tallur” me sovranitetin e Bjellorusisë duke nisur pushtimin e Ukrainës nga territori bjellorus.
Po ashtu Lukashenko mohoi akuzat e Kievit se trupat ruse po sulmonin Ukrainën nga territori i Bjellorusisë.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Fraksion.com