AktualitetBota+Të fundit

Lavrov: Rusia duhet ta ndalë Ukrainën nga grumbullimi i armëve bërthamore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatim në Zvicër se është koha që armët bërthamore amerikane që gjenden në Evropë, të nisen në shtëpi.

Lavrov është pritur që të martën do të marrë pjesë me prezencë fizike në Gjenevë, mirëpo ndalesat në udhëtime e kanë pamundësuar këtë gjë.

Në një fjalim të incizuar paraprakisht, ai ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë për stabilitetin strategjik me Shtetet Bashkuara, mirëpo ka paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet të dërgojë objekte ushtarake në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ai po ashtu ka ofruar një arsyetim të ri për pushtimin rus në Ukrainë – për të parandaluar Ukrainën nga grumbullimi i armëve bërthamore.

Të udhëhequr nga Ukraina, shumë ambasadorë, përfshirë ata nga Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë larguar nga salla kur Lavrov ka mbajtur fjalimin.

Ministri rus pritet të flasë sërish – përmes video lidhjes – në Këshillin e OKB-së për të Drejta të Njeriut.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./rel

 

Fraksion.com