AktualitetBota+Të fundit

Kush janë dhe çfarë roli luajnë oligarkët rusë

Presidenti rus Vladimir Putin etiketohet shpesh si një diktator ose në çdo rast tjetër si një lider autoritar, por në realitet ai ndan një pjesë të pushtetit me të ashtuquajturit oligarkë rusë, të cilët janë një grup i vogël personash që kanë grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme ndër vite dhe që mbajnë marrëdhënie të ngushta me Presidencën, duke ndikuar në zgjedhjet e politikave të saj.

Që nga dita kur Rusia pushtoi Ukrainën të enjten e kaluar është folur shumë për oligarkët, pasi ata janë më të goditurit nga sanksionet perëndimore dhe së dyti, disa prej tyre, duket se po krijojnë njëfarë mospajtimi ndaj Putinit dhe luftës që ai ka nisur.

Termi “oligarki” rrjedh nga greqishtja dhe tregon një regjim në të cilin qeveria është në duart e pak njerëzve. Kjo ishte një formë shumë e përhapur e qeverisjes në qytetet e lashta greke, por edhe atëherë u përbuz nga filozofë si Platoni dhe Aristoteli, për faktin se bazohej në pasurinë e individëve dhe jo në merita apo aftësi të veçanta.

Megjithatë, pas epokës së qyteteve greke, oligarkia mbeti për shekuj një formë qeverisje kryesisht teorike, të paktën në Perëndim, e studiuar thjesht nga pikëpamja akademike, deri në fund të shekullit të kaluar. Pikërisht në Rusinë post-sovjetike u krijua konteksti ideal për afirmimin e një elite shumë të pasur që do të formonte më vonë oligarkinë ruse.

Në kohën kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, presidenti rus Boris Jelcin përshpejtoi procesin e hapjes ndaj kapitalizmit perëndimor që ishte iniciuar me kujdes nga lideri i fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev, por duke krijuar çekuilibrime të rënda. Jelcin u financua nga një grup biznesmenësh të rinj, të cilët duke qenë në gjendje të përfitonin nga situata politike e ekonomike dhe, atëherë kur qeveria ruse vendosi të privatizonte kompanitë e mëdha publike, disa nga këta biznesmenë, qenë në gjendje për t’i blerë ato me një çmim të ulët.

Me pak fjalë, pas shpërbërjes së regjimit sovjetik, disa persona u pasuruan jashtëzakonisht shumë për një kohë tepër të shkurtër, të cilët i shumëzuan bizneset e tyre nga energjia tek sporti, duke kaluar më pas në sektorin e metalurgjisë dhe medias. Por në dy dekadat e fundit, oligarkia është transformuar me fuqizimin e Putinit. Në fillim, duke qenë se oligarkët kishin një reputacion shumë të keq në Rusi për mënyrën se si u pasuruan, Putin u pozicionua publikisht kundër tyre.

Mirëpo, më pas nuk bëri asgjë për të ndryshuar marrëdhëniet e pushtetit, thjesht zëvendësoi oligarkët e vjetër me të tjerë, më të besuar dhe përjashtoi nga çdo avantazh ekonomik ata që e kundërshtonin. Për shembull, shumë ish-kolegë të Putinit, iu bashkuan oligarkisë së re kur ai ishte anëtar i KGB-së.

Një marrëdhënie e ndërvarur është krijuar mes Putinit dhe oligarkëve të rinj, të cilët zyrtarisht nuk i përkasin qeverisë apo institucioneve të tjera publike, sepse, siç ka deklaruar ish-kryeministri rus Mikhail Kasyanov në 2014 në një intervistë për Nju Jork Times, “ata varen nga ai dhe ai varet prej tyre”. Në njërën anë, oligarkët i garantojnë Putinit stabilitet dhe besnikëri, nga ana tjetër, Putini i lejon ata të zgjerojnë bizneset dhe pronat e tyre.

Ky është një raport që vetë Putin e pranoi në një intervistë të dhënë për Financial Times, në të cilën tha se oligarkët janë “ata që përdorin lidhjet e tyre me autoritetet shtetërore për të krijuar fitime të mëdha ekonomike”. Në fund të fundit, edhe Putini, i cili është në pushtet mbi njëzetë vite, arriti të pasurohej shumë.

Pavarësisht marrëdhënies së ndërvarur të tyre, duket se oligarkia nuk është kompakte në mbështetje të tij, për sa i përket pushtimit të Ukrainës. Në fakt, pasuria e oligarkëve, është e vendosur kryesisht jashtë Rusisë, kështu për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, ata janë të parët që vuajnë pasojat. Dhe kjo është arsyeja pse ata po shprehin kundërshti ndaj politikës së Putinit në lidhje me Ukrainën.

Për shembull, Oleg Deripaska, i cili është një prej grupeve më të mëdha industriale në Rusi, publikoi një postim në rrjetin social Telegram, sipas të cilit shpresonte në një marrëveshje paqeje që mund të arrihet “sa më shpejt të jetë e mundur”. Më pas, ai bëri një tjetër deklaratë ku kritikonte në mënyrë indirekte menaxhimin ekonomik të qeverisë së Putinit, duke theksuar se “është e nevojshme të ndryshohet politika ekonomike dhe duhet t’i jepet fund gjithë këtij kapitalizmi shtetëror”.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, një tjetër oligark, Mikhail Fridman, shkruajti një letër për punonjësit e tij, duke e përcaktuar luftën në Ukrainë “një krizë që do të kushtojë shumë jetë njerëzore, duke dëmtuar dy vende të afërta për qindra vjet”.

Edhe disa lëvizje të oligarkut Roman Abramovich janë interpretuar gjithashtu si shenja shqetësimi në lidhje me luftën dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi. Në fundjavë, Abramovich njoftoi se do të largohet nga administrata e klubit anglez të futbollit Chelsea, por jo nga pronësia e tij.

Në deklaratën e tij për mediat nuk kishte asnjë detaj në lidhje me situatën në Ukrainë, por sipas një zëdhënësi të tij, Abramovich kishte udhëtuar drejt Bjellorusisë për të marrë pjesë në takimin e dy delegacioneve që do bisedonin për vendosjen e paqes në mesin e konfliktit.

 

Fraksion.com