“Jam plakur më shumë se në 10 vite këto tre ditë”; Vuçiç flet për Kosovën në NATO dhe presionet pse mbështet Rusinë
Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë pas sulmit mbi Ukrainë.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar për media se në tri ditët e fundit është plakur më shumë sesa në 10 vite.
Sipas Vuçiç, ai po përballet me presion të madh për t’i vënë sanksione Rusisë për shkak të sulmit mbi Ukrainën.
“Nuk mbaj mend që të ketë pasur një situatë të tillë kaq të vështirë. Në tre ditët e fundit jam plakur më shumë se në 10 vitet paraprake”, ka deklaruar Vuçiç.
Gjatë ditës së djeshme ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, u është drejtuar BE-së dhe SHBA-së ta kenë parasysh veprimin e presidentit serb karshi Vladimir Putin, pasi duket se ndërmjet Perëndimit dhe Putinit, presidenti serb zgjodhi këtë të fundit.
“Pra, duket se Presidenti i Serbisë Vuçiç ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – ndërsa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është frikë morale. BE, SHBA ju lutemi kini parasysh”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Vuçiç po aplikon qëndrim të dyfishtë në kohën kur lufta ka nisur në Ukrainë, me urdhër të Putinit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, por nuk do të vë sanksione ndaj Rusisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk mund të vlerësojë për momentin se sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, por, sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është një nevojë urgjente, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Duke folur në një ngjarje në Kragujevc të Serbisë, Vuçiç tha se ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe.
Sipas tij, kjo është “ide e lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të Aleancës [së NATO-s] dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”.
Vuçiç tha se kjo mund të jetë “një justifikim për disa, që të thonë se duhet ta njohin Kosovën, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër” dhe se “nuk mund të jenë kundër kësaj”.
“Kjo do të ishte një përpjekje për të na vënë përpara një akti përfundimtar, për të na thënë se ju jeni të vetmit që keni mbetur për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç.
Katër vendet e BE-së e po ashtu edhe të NATO-s, që nuk e kanë njohur Kosovën, janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qiproja është një tjetër vend i BE-së që s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
Mehaj tha të dielën se Evropa dhe bota po përballen me një sfidë serioze të sigurisë, pas agresionit të rëndë të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Ekziston nevojë e madhe që vendet demokratike të ndërmarrin hapa vendimtarë dhe të bashkohen përballë një sfide të tillë. Kosova ka treguar një përkushtim të fuqishëm ndaj vlerave demokratike dhe paqes. Ne u bëjmë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, të mos hezitojnë ta bëjnë këtë”, tha ai.
Mehaj po ashtu përsëriti thirrjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, për të forcuar, siç tha, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Të njëjtën ftesë, Kosova ia dërgoi SHBA-së edhe në tetor të vitit 2021.
Fraksion.com