Banka e Shqipërisë do të ndërtojë regjistrin e operatorëve të pagesave
Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një regjistër publik të operatorëve të shërbimeve të pagesave, me qëllim promovimin e transparencës dhe konkurrencës në këtë treg.
Vendimi i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fillim të shkurtit do të hyjë në fuqi më datë 1 mars. Pjesë e këtij regjistri do të jenë institucionet e pagesave, sipas përkufizimeve të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, institucionet e parasë elektronike, ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë dhe agjentët e subjekteve të pagesave.
Për institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike regjistri do të përmbajë emrin e subjektit, numrin unik të identifikimit, adresën e selisë qendrore të subjektit, kapitalin fillestar të paguar, identitetin e aksionerëve me pjesëmarrje influencuese dhe përqindjet e pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërisë, identitetin e administratorit, numrin dhe datën e licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë, adresat e degëve, listën e veprimtarive të lejueshme që kryen subjekti dhe, në një rast eventual, edhe numrin dhe datën e vendimit për shfuqizimin e licencës ose numrin dhe datën e vendimit për pezullimin e një ose disa veprimtarive, nga Banka e Shqipërisë.
Regjistri do të përmbajë të dhënat e mësipërme edhe për ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë. Për agjentët e institucioneve të pagesave dhe të institucioneve të parasë elektronike, regjistri do të përmbajë emrin, numrin unik të identifikimit dhe adresën e agjentit, identitetin e administratorit dhe të personave përgjegjës për administrimin e veprimtarisë së shërbimeve të pagesave ose të shërbimeve të parasë elektronike që agjenti do të kryejë në emër dhe për llogari të subjektit dhe shërbimet e pagesave ose shërbimet e parasë elektronike që do të kryejë agjenti.
Të dhënat për institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike do të regjistrohen brenda 15 ditëve nga licencimi, për agjentët brenda dy muajve dhe për ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë brenda tre muajve.
Regjistri i ofruesve të shërbimeve të pagesave do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë dhe do të përditësohet rregullisht nga Departamenti i Mbikëqyrjes pranë këtij institucioni. Rregullorja “Për regjistrin publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave” është një ndër aktet e nënligjore në zbatim të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.
Projektrregullore të tjera që priten të miratohen së shpejti janë ajo “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, që ka si objekt përcaktimin e kërkesave që duhet të plotësohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave të sigurisë, për zbatimin e procedurës së autentifikimit të thelluar të klientit;
projektrregullorja “Mbi transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesës dhe mbi shërbimin e transferimit të llogarive të pagesës”, që do të mundësojë ofrimin e një informacioni krahasues mbi tarifat e aplikuara nga operatorëve të pagesave; projektudhëzimi “Mbi kriteret për përcaktimin e shumës monetare minimale të siguracionit të dëmshpërblimit profesional ose të garancive të tjera të krahasueshme”, që përcakton kriteret për sigurimin e detyrueshëm të operatorëve të pagesave për dëmet që mund t’iu shkaktojnë klientëve.
Miratimi i këtyre projektakteve do të mundësojë zbatimin e plotë të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, që pritet të nxisë shtimin e konkurrencës në sektorin e pagesave, përfshi edhe aplikimin e konceptit të bankingut të hapur, që do t’iu japë institucioneve financiare jobanka akses në llogaritë bankare të klientëve të tyre, me miratimin e këtyre të fundit./Monitor
Fraksion.com