AktualitetPolitikëTë fundit

Balla me banorët në Dushk: Në 6 mars vota nuk duhet t’i shkojë një opozite që gënjen

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti Bujar Çela dhe kandidatja për kryetare bashkie, Eriselda Sefa, zhvilluan një takim me banorët në Njësinë Administrative Dushk në Lushnjë.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se në Dushk ka nevojë për shumë punë sidomos për kanalizimet.

“Jam këtu për t’ju kërkuar votën për kryetaren e bashkisë Eriseldën, një vajzë model e cila si unë i ngjiti shkallët e karrierës dalëngadalë, me 16 vite eksperiencë dhe e di që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Me votëbesimin tuaj në 6 mars shumë punë na presin. E dimë që duhet të kishim bërë shumë më shumë punë jo vetëm në Lushnjë edhe në njësinë tuaj, por vijmë pas 2 vitesh të vështira për të gjithë ne dhe tani ka ardhur momenti t’i fokusohemi punëve për Lushnjën”, tha ai.

Balla tha se “në Shqipëri nuk ka opozitë, sepse opozita e përdor rolin e vet për të gënjyer”.

Ndaj, iu drejtua ai banorëve, vota juaj nuk duhet t’i shkojë një opozite që gënjen.

“Problemet tuaja të bujqësisë qeveria ka vendosur t’i ndihmojë me skemat mbështetëse si me naftën edhe për plehrat kimike, ndaj mbetet që të gjithë ju që merreni me bujqësi të aplikoni për të përfituar nga skemat mbështetëse si në bujqësi edhe në blegtori dhe punonjësit që merren me to të japin ndihmën që gjithsecili prej jush të aplikojë”, tha ai.

Në fjalën e saj, kandidatja për kryetare bashkie shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që kjo njësi ka treguar.

“Duhet që me votëbesimin më 6 mars të marrin jetë shumë projekte që janë hartuar për këtë njësi dhe shumë probleme të marrin zgjidhje në mënyrë që qytetarët të marrin atë që meritojnë”, tha ajo.

 

Fraksion.com