AktualitetRajoniTë fundit

30 vjet Bosnje – e pavarur dhe e ndarë

Pas Sllovenisë dhe Kroacisë Bosnja dhe Hercegovina ishte shteti i tretë, që doli nga shteti multietnik në shpërbërje i Jugosllavisë. Nacionalistët në vend pengojnë deri më sot që ai të funksionojë.

Në qendër anëtar serb i presidencës, Milorad Dodik, Zeljko Komsiç, anëtari kroat i presidencës (majtas) dhe anëtari mysliman i presidencës, Sefik Dzaferoviç (djathtast)

Se sa e ndarë është popullsia e Bosnjë-Hercegovinës u tregua edhe një herë nga invazoni i Rusisë në Ukrainë, i cili bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa boshnjakët dhe kroatët në vend e dënuan ashpër agresionin e Moskës, shumë nga serbët e Bosnjës treguan mirëkuptim për Moskën. Kjo simbolizon problemin thelbësor, që errësoi aktin themelues të shtetit boshnjak para 30 vjetësh.

Më 1 mars 1992 popullsia e vendit, i cili deri atëherë kishte qenë pjesë e Jugosllavisë, votoi pothuajse me 100% të votave për pavarësinë, por serbët, që përbënin rreth një të tretën e banorëve të Bosnjës, e bojkotuan votimin. Si reagim ndaj kësaj ata krijuan të ashtuquajturën Republika Srpska si shtetin e tyre jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Pasoi një luftë e përgjakshme civile me më shumë se 100.000 të vdekur dhe 2.3 milionë të dëbuar. Vetëm ndërhyrja ushtarake e NATO-s i uli tri palët në konflikt në bisedime në 1995 dhe vendosi një traktat paqeje.

Por kushtetuta e vendosur nga SHBA dhe BE i dha fund luftës pa sjellë paqe. Edhe struktura e ndërlikuar e shtetit nuk premtoi që në fillim asgjë të mirë: serbët ortodoksë morën gjysmën e vendit, që ka një autonomi shumë të gjerë. Gjysmën tjetër e ndanë myslimanët boshnjakë, të cilët përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së vendit, si dhe rreth 15 për qind të qytetarëve të Bosnjës, që janë kroatë katolikë. Sikur kjo të mos mjaftonte, pjesa boshnjako-kroate e vendit u nda në dhjetë “kantone”. Dhe në fund “kondominiumi i qytetit Brcko” fare në veri të vendit, qeveriset bashkarisht nga të dyja gjysmat e vendit, të quajtura „entitete”.

Bosnien und Herzegowina | Christian Schmidt - Rede im ParlamentChristian Schmidt është “Përfaqësues i Lartë” në Bosnje dhe Hercegovinë që nga gushti 2021

Kështu administrata e fryrë e Bosnjës së pasluftës gllabëron pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Partitë nacionaliste, të cilat dominuan gjithçka që në fillim, vazhduan të nxisin popullatën kundër njeri-tjetrit edhe pas përfundimit të luftës. Të mbrojtur nga këto luftime gjoja populiste, ata ndanë mes tyre burimet publike: ndërmarrjet e mëdha shtetërore, rrjetet publike të energjisë, rrugët dhe hekurudhat, bankat, mediat apo kompaninë e lotarisë shtetërore. Kjo ndarje e pasurisë kombëtare ushqen korrupsionin dhe nepotizmin, që janë të kudogjendshëm dhe zakonisht mbeten të pandëshkuar. Sepse edhe gjyqësori është nën kontrollin e elitave politike nacionaliste.

Me shumë miliarda euro dhe një ushtri diplomatësh dhe ekspertësh SHBA dhe mbi të gjitha BE janë përpjekur që nga viti 1996 të ngrenë në këmbë shtetin e ri boshnjak. Por për shkak të moçalit politik në vend dështuan të gjitha përpjekjet për reforma dhe rindërtimi i ekonomisë.

SHBA dhe BE veprojnë pa rezultat

Së fundmi ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt, i cili është emëruar “përfaqësues i lartë” në Sarajevë që nga gushti 2021, përjetoi një disfatë të vërtetë. Nëntorin e kaluar ai nuk u lejua as të raportonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për situatën në Bosnje – siç ka qenë e zakonshme me paraardhësit e tij për dekada. Sepse Rusia, fuqia me veto në OKB, nuk e njeh Schmidt-in ashtu si edhe shumica e politikanëve të serbëve të Bosnjës.

Nacionalistët serbë në Bosnje nën politikanin e tyre kryesor Milorad Dodik, tani më shumë se kurrë po përpiqen për ndarjen e pjesës së tyre të vendit nga shteti i përbashkët. Krijimi i agjencisë të barërave, përgatitja për gjyqësorin e saj, sistemin e saj fiskal dhe ushtrinë, janë me sa duket vetëm hapa të ndërmjetëm në këtë rrugë.

Mbështetësit evropianë të nacionalistëve

Por BE nuk mund ta ndëshkojë Dodikun me sanksione për politikat e tij destruktive, siç ishte njoftuar, sepse ai ka avokatë të fuqishëm te anëtarët e BE-së, Hungaria dhe Kroacia. Sidomos Kroacia ka në mendje pakicën e saj në Bosnje dhe Hercegovinë. Së bashku me serbët e Bosnjës ata duan të ndryshojnë ligjin zgjedhor në favor të tyre.

Bosnien und Herzegowina | Milorad Dodik, serbisches Mitglied der PräsidentschaftMilorad Dodik është politikani kryesor i nacionalistëve serbë në Bosnje

Prandaj të dërguarit nga Uashingtoni dhe Brukseli prej muajsh shkojnë njeri pas tjetrit në Sarajevë: Ata duan që tri kombësitë e ndara në Bosnje të arrijnë kompromis në mosmarrëveshjen e përhershme, që po bllokon shtetin boshnjak. Por deri tani të gjitha përpjekjet e tyre kanë qenë të kota: kroatët dhe serbët duan të zgjerojnë të drejtat e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Nga ana tjetër boshnjakët po përpiqen për një shtet civil të bazuar në moton “Një person – një votë”.

Festa pompoze, varfëri e hidhur

Për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura fjala “luftë” po përmendet gjithnjë e më shpesh në Bosnje. Por konflikte ushtarake nuk kanë gjasa të ndodhin: nuk ka as fuqi njerëzore dhe as armë të rënda për një konflikt të tillë. Por vendi i varfëruar si nga ana sociale edhe ekonomike po pëson humbje të mëdha nga eksodi masiv i qytetarëve të tij. Nëse para luftës numëroheshin 4,4 milionë banorë, sot vlerësohet të jenë 3,3 milionë. Demoskopët kritikë madje vlerësojnë se sot në fakt nuk janë as 2.8 milion njerëz, që jetojnë në Bosnje. Duke pasur parasysh veprimet e liderëve të tyre politikë, ka të ngjarë që edhe në të ardhmen njerëzit të vazhdojnë të largohen jashtë vendit.

Ka edhe njerëz që jetojnë mirë në Bosnje: Vitin e kaluar qytetarët e vendit u bënë dëshmitarë të dasmës përrallore të Jasmina Izetbegoviç, vajzës së politikanit të lartë boshnjak Bakir Izetbegovic. Në të njëjtën kohë politikani i lartë kroat Dragan Çoviç festoi 65 vjetorin. Nacionalisti me prejardhje nga një familje e varfër, ka krijuar një stemë familjare heraldike të stolisur plot imagjinatë, për të cilën mori shumë tallje. Gazeta kroate Jutarnji list dha alarmin duke vënë në dukje festimet pompoze familjare të liderëve dhe varfërinë e hidhur të popullsisë: “Elitat nacionaliste dhe mafioze nuk kanë më nevojë ta fshehin atë që kanë gllabëruar së bashku”, shkruante gazeta./DW

 

Fraksion.com