“Pushtimi rus i Ukrainës”; Koreja e Veriut provokon me një provë të re me raketa
Koreja e Veriut ka hedhur përsëri një raketë, e cila mendohet se është raketë balistike që mund të godasë objektiva në distanca të gjata.
Ushtria e Koresë së Jugut dhe Garda Bregdetare Japoneze njoftuan se Koreja e Veriut ka gjuajtur në drejtim të lindjes të paktën një “predhë të paidentifikuar. Ky ishte testi i parë këtë muaj. Në janar Koreja e Veriut, e cila është e armatosur me armë bërthamore, kreu një numër rekord hedhje raketash. Hedhja e fundit e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi Hwasong-12 u krye më 30 janar.
Në hijen e konfliktit të Ukrainës
Ekspertët kanë frikë se Koreja e Veriut mund të përparojë me zhvillimin e raketave bërthamore duke shfrytëzuar momentin që vëmendja ndërkombëtare është përqendruar tek pushtimi rus i Ukrainës.
Sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara Koresë së Veriut i ndalohet testimi i raketave dhe armëve bërthamore. Përpjekjet për ta bindur nëpërmjet kanaleve diplomatike shtetin e izoluar ndërkombëtarisht që të heqë dorë nga ky kurs deri tani kanë qenë të pasuksesshme.
Këshilli i Sigurimit është i përçarë mes vendeve perëndimore, të cilat e dënojnë programin bërthamor dhe programin e armatimit të Koresë së Veriut, dhe Kinës, e cila vepron si mbrojtëse e Koresë së Veriut.
Testime megjithë sanksionet e OKB-së
Këshilli i Sigurimit miratoi sanksione kundër Koresë së Veriut në vitin 2017 dhe i bëri thirrje vendit të “respektojë” rezolutat e organit më të lartë të OKB-së.
Pavarësisht nga kjo Koreja e Veriut dhe sundimtari i saj Kim Jong Un, kanë vazhduar të hedhin raketa balistike të cilat, në varësi të llojit, mund të mbajnë edhe koka me mbushje bërthamore. Koreja e Veriut ka testuar raketa me rreze të shkurtër veprimi, raketa lundruese dhe, sipas Koresë së Veriut, edhe raketa supersonike të afta të fluturojnë më shumë se pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit./DW
Fraksion.com