Bushati: Ta kthejmë Velipojën në destinacion elitar të turizmit
Kandidati i PD-së për bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati ka zhvilluar sot një takim me banorët e Velipojës.
Në fjalën e tij, kandidati Bushati tha se si një prej zonave më të rëndësishme turistike të Shqipërisë, Velipoja do të ketë vëmendje absolute.
Banorët e njësisë administrative, Velipojë, në takimin me kandidatin e PD Xhemal Bushati shprehën një sërë problematikash që lidhen me infrastrukturën e munguar në disa fshatra, kaosin gjatë sezonit turistik, mungesën e administrimit të plazhit dhe një sërë problematikash të tjera ndërsa Bushati premtoi se menjëherë pas zgjedhjeve do nisë puna për sezonin turistik.
“Në Velipojë shoh potencialin, por edhe mungesën e investimeve dhe harresën. Unë e kam një plan konkret për Velipojën. Ta kthejmë Velipojën në një motor ekonomik dhe në një destinacion elitar të turizmit në Shqipëri. Si një njeri i biznesit, nuk mund ta pranoj këtë realitet. Aq më tepër, boshatisjen dhe braktisjen e Velipojës. Bashkë, do të kthejmë, jo vetëm turistët, por edhe investimet. Sepse Velipoja duhet të ndryshojë dhe do ta ndryshojmë”, tha Bushati.
Fraksion.com