AktualitetBota+Të fundit

Bjellorusi: Nisin bisedimet me Rusinë, Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave rusë

Ukraina është në ditën e pestë të luftës, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj vendit fqinj. Sot po mbahet takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, ndonëse presidenti Volodimir Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.

Siguria e këtij takimi, që po zhvillohet pranë lumit Prypyat i është besuar presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Putinit.

Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse në takimin me delegacionin rus në Bjellorusi. “Çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina”, thuhet në një njoftim zyrtar.

Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit, delegacioni është ministri i Mbrojtjes Oleksy Reznikov, këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak dhe zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme, Mykola Tochytskyi.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit. Ai ndodhet në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij përballë forcave ruse.

Ndërkohë që në orën e fundit është raportuar se nuk janë dëgjuar më sirenat e sulmit ajror në disa qytete të Ukrainës.

Një ditë më parë, presidenti Vladimir Putini urdhëroi forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin. “Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Bisedimet Moskë-Kiev në Bjellorusi,  ja kush janë të dërguarit

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në Bjellorusi për të zhvilluar bisedime me Rusinë. Delegacioni ukrainas mbërriti në kufi me helikopter. Në të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes Reznikov, zëvendësministri i Jashtëm Totsicki, këshilltari i Zelenskit Pantoliak, deputetët Arakamia dhe Umerov dhe përfaqësuesi i Grupit Trepalësh të Kontaktit, Kostin. Me Ukrainën që mbrohet heroikisht, Perëndimi ka lëvizur në mënyrë dinamike ditët e fundit, duke përshkallëzuar mbytjen ekonomike dhe izolimin ndërkombëtar të Moskës, ndërsa ka ndihmuar ndjeshëm presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky me ndihmë ushtarake  për të organizuar mbrojtjen e vendit të tij.

Në një lëvizje vendimtare mbrëmë në përgjigje të kërcënimit të mëparshëm bërthamor të Putinit, Bashkimi Evropian po mbyll hapësirën e tij ajrore për avionët rusë. Bisedimet ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen në kufirin ukrainas- bjellorusi pranë lumit Pripyat, pas një ultimatumi të dërguar nga Moska në Kiev të dielën pasdite. Kjo është përpjekja e parë për të arritur një marrëveshje mes dy palëve, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk u shfaq optimist për rezultatin e këtyre kontakteve, por tha se delegacionet do të takohen “pa kushte”.

 

Fraksion.com