Arrestohet 52-vjeçari në Kamëz, policia i gjen një pistoletë dhe 173 fishekë në shtëpi
Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kamëz. Mësohet se policia ka gjetur në banesën e N.B., një pistoletë të futur në një kllëf lëkure, katër krëhëra dhe 173 fishekë luftarakë.
Arrestimi është bërë në vijim të operacionit të koduar ‘Road Guard 3’, pas dyshimeve se babai i një prej të arrestuarve në këtë operacion, mund të kishte armë zjarri në shtëpi.
Njoftimi i Policisë
Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Vihet në pranga një 52-vjeçar. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra nga DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit policor të koduar “Road Guard 3”, se babai i një prej të arrestuarve në kuadër të operacionit, mund të kishte armë zjarri në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit N. B., 52 vjeç, banues në Kamzë.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë të lyer me graso dhe futur në një kllëf lëkure, katër krëhëra dhe 173 fishekë luftarak.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 52 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Fraksion.com