Gjermania rrit buxhetin e mbrojtjes: Modernizim gjithëpërfshirës i ushtrisë për shkak të luftës në Ukrainë
Gjatë një seance të posaçme parlamentare për Ukrainën kancelari gjerman shpall planet për riarmatimin masiv të Gjermanisë dhe modernizim gjithëpërfshirës të ushtrisë
Për t’iu “kundërvënë kërcënimit nga Putini” kancelari socialdemokrat Olaf Scholz njoftoi modernizimin gjithëpërfshirës të Bundeswehr-it. Në deklaratën e tij qeveritare gjatë seancës së posaçme të Bundestagut për Ukrainën (27.02) ai tha se së bashku me ministrin e Financave Christian Lindner (FDP) do të ofrojnë për këtë një fond special prej 100 miliardë eurosh.
Për krahasim: deri tani në buxhetin federal gjerman parashikohen rreth 50 miliardë euro në vit për buxhetin për mbrojtjen. Përveç kësaj çdo vit për mbrojtjen do të investohen më shumë se dy përqind e prodhimit të brendshëm bruto.
Largim nga varësia prej naftës dhe gazit nga Rusia
Përveç një ushtrie efikase dhe ultra-moderne, kreu i qeverisë gjermane beson gjithashtu se një ndryshim drejtimi në politikën e energjisë është një nga masat më të përshtatshme për t’i treguar vendin Putinit.
Përveç zgjerimit të energjive të rinovueshme që tashmë është vendosur, kancelari Scholz njoftoi gjithashtu krijimin e një rezerve shtetërore për qymyrin dhe gazin, si dhe hapjen dy terminaleve të reja detare që mundësojnë në afat të shkurtër importimin e më shumë gazi të lëngshëm në Gjermani, edhe në afat të mesëm importimin e “hidrogjenit të gjelbër”./DW
Fraksion.com