AktualitetPolitikëTë fundit

“Të rinjtë ikin…”; Berisha kërkon mbështetjen e grave për kandidatin e Shkodrës, Bardh Spahia

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë Shkodër, Bardh Spahia, kanë zhvilluar sot një takim me gratë demokrate në Shkodër.

Në fjalën e  tij, Berisha u shpreh se mbështetja e grave dhe e vajzave së bashku me të rinjtë për Partinë Demokratike kanë qenë dy faktorët përcaktues të fitores së saj.

“Edhe sot, gratë mbeten forca mbështetëse e PD-së në një moment të vështirë të shoqërisë shqiptare. Në një moment ku shoqëria jonë po bëhet gjithnjë e më shumë që ka fëmijë por nuk ka të rinj se marrin rrugët e botës. Të rinjtë ikin jo se Shqipëria nuk ka potenciale, por sepse një regjim i cili ka zgjedhur të bazohet mbi dhunën. Shqipëria jeton sot një regjim diktatorial të bazuar mbi krimin, drogën, vjedhje, abuzimin e pasurive publike. Shqipëria jeton sot një regjim ku viktimat më kryesore janë të rinjtë, fëmijët dhe gratë”, tha ai.

“Në Shqipëri 1/3 e qytetarëve nuk nisen më drejt kutive të votimit, ata abdikojnë nga vullneti i tyre, por siç është në natyrën e njeriu dhe më shumë se kujtdo tjetër e vajzave dhe grave ku shpresa edhe kur nuk duket gjëkundi duhet krijuar dhe ju jeni të parat në universin e ndjenjave tuaja fisnike të krijoni shpresën”, tha Berisha.

Nga ana e tij, kandidati për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahi u shpreh se Shkodra ndër vite ka pasur gra që kanë lënë gjurmë të thella.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen për ato gra që zgjodhën t’i kundërvihen regjimit gjakatar komunist dhe që në Shkodër tregoi fytyrën e vet më të keqe. Le t’i nderojmë edhe me këtë pjesëmarrje, por dhe me luftën tonë për kthimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha ai.

Spahia shtoi se ka ardhur koha për ndryshim.

“Gjatë takimeve me qytetarë kam hasur problematika të mëdha por së bashku mund t’i zgjidhim me drejtimin e bashkisë së Shkodrës sepse bashkia do të mbështesë gratë. Do të gjeni mbështetjen e vazhdueshme, do të gjeni një bashki të hapur dhe do drejtoj qytetin me ju e për ju”, tha Spahia.

 

Fraksion.com