AktualitetPolitikëTë fundit

KQZ i kërkon Prokurorisë verifikimin e kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Lushnjë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar kryeprokurorit Olsian Çela verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë”  në zgjedhjet e 6 marsit për bashkinë e Lushnjës, Elton Bano.

Përmes një shkrese drejtuar kryeprokurorit Çela, KQZ i kërkon Prokurorisë të verifikojë  kandidatin pasi për të ka mbërritur në KQZ një kërkesë e Partisë Demokratike, sipas së cilës, Elton Bano ka qenë i  proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për veprën penale të vjedhjes në vitet 1998-2000.

Partia Demokratike përmes kësaj shkrese i kërkoi KQZ-së të kërkojë verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme për kandidatin Bano duke iu referuar informacioneve të verifikuara nga burime konfidenciale.

Meqënëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka kompetenca verifikimi për veprat penale të kryera jashtë vendit, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë të dhënat e kandidatit, për të cilin i ka dërguar formularin e vetëdeklarimit në bazë të ligjit të Dekriminalizimit të depozituar në KQZ dhe dokumentet e tjera zyrtare si shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kërkesa e Partisë Demokratike.

Në këtë formular Bano deklaron tre qëndrime jashtë territorit të vendit, në Rumani, në Britaninë e Madhe për arsye emigracioni dhe në Itali për arsye shëndetësore familjare.

Nga verifikimet pranë organeve përkatëse brenda vendit Bano rezultoi i padënuar.

Vetë Bano në deklarimet e tij të mëhershme i ka mohuar akuzat e PD-së, duke u shprehur se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar në asnjë shtet ku ka qëndruar.

 

Fraksion.com