AktualitetBota+Të fundit

Kim: Thesari i SHBA-së sanksione ndaj Putin dhe zyrtarëve të tjerë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim bën të ditur se thesari i SHBA-ve ka sanksionuar Presidentin rus Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Shoigu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gerasimov si përgjigje e pushtimit të pajustifikuar rus në Ukrainë.

“Thesari i  SHBA-së ka vendosur sanksione ndaj Presidentit rus Putin, Ministrit të Jashtëm Lavrov, Ministrit të Mbrojtjes Shoigu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gerasimov në përgjigje të pushtimit”, shkruan Kim në një postim në twitter.

Diplomatja amerikane ka publikuar njoftimin e SHBA-ve lidhur me sanksionet ndaj zyrtarëve rus.

“Është jashtëzakonisht e rrallë që Thesari të caktojë një kryetar shteti; Presidenti Putin i bashkohet një grupi shumë të vogël që përfshin despotët si Kim Jong Un, Alyaksandr Lukashenka dhe Bashar al-Assad”, thekson Kim.

Përveç SHBA-ve Presidenti Putin dhe zyrtarët e tij janë sanksionuar edhe nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe BE-ja.

 

Fraksion.com