Franca ndalon një anije, dyshohet se është e një kompanie të sanksionuar ruse
Policia detare e Francës ka ndaluar një anije që autoritetet dyshojnë se i përket një kompanie ruse, që është shënjestruar nga sanksionet e Bashkimit Evropian, kanë raportuar më 26 shkurt agjencitë AFP dhe Reuters.
BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.
Anija po transportonte vetura dhe ishte nisur drejt Shën Petersburgut. Autoritetet kanë “pasur dyshim të fuqishëm se ajo ishte e lidhur me interesat ruse të shënjestruara nga sanksionet”, tha për Reuters, kapitenia Veronique Magnin nga Ministria Detare e Francës.
Anija më pas është dërguar në portin e Boulogne-sur-Mer në veri të Francës, tha Magnin, duke shtuar se ekuipazhi i anijes ka qenë bashkëpunues gjatë kontrolleve të anijes.
Agjencia e lajmeve ruse, RIA ka raportuar se Ambasada ruse në Francë ka kërkuar shpjegim nga autoritetet lidhur me ndalimin e anijes.
Gazeta franceze, La Voix Du Nord, që ishte e para që raportoi për këtë lajm, tha se anija quhet “Baltic Leader”, që sipas ueb-faqes marinetraffic.com, lundron nën flamurin rus.
Kompania që ka në pronësi anijen i përket një biznesmeni rus që është në listën e sanksioneve të BE-së, tha Magnin.
Më 25 shkurt, shtetet e BE-së u pajtuan për të ngrirë asetet evropiane të presidentit rus, Vladimir Putin dhe të ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov, lidhur me sulmin ndaj Ukrainës. Ndërkaq, më herët janë sanksionuar edhe persona të tjerë./REl
Fraksion.com