Zyrtari ukrainas: Çernobili ra në duart e forcave ruse
Një këshilltar i presidentit të Ukrainës tha se kompleksi bërthamor i Çernobilit, rreth 130 kilometra në veri të Kievit, ra në duart e forcave ruse. Një nga reaktorët bërthamorë të Çernobilit shpërtheu në vitin 1986, në një nga aksidentet më të rënda bërthamore në botë.
Ndërkohë Moska konfirmoi se forcat tokësore hynë në Ukrainë nga Krimea. Më parë Moska kishte pranuar vetëm që kishte filluar një sulm ajror dhe me raketa ndaj bazave ajriore të Ukrainës dhe objekteve të tjera ushtarake. Ministria e Mbrotjes thotë se ka shkatërruar 83 objekte ushtarake ukrainase.
Rusia goditi me raketa shumë qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kiev, duke vënë në shënjestër objektet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën ushtarake.
Sulmi filloi menjëherë pas një fjalimi në televizion të presidentit rus Vladimir Putin, rreth orës 4 të mëngjesit, gjatë të cilit ai u shfaq i zemëruar, duke theksuar se nuk mund të toleronte më ato, që ai i quajti kërcënime nga Ukraina.
Ai e përfundoi fjalimin e tij duke paralajmëruar fuqitë e jashtme që të mos ndërhyjnë, ndryshe do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.
Presidenti Putin tha se qëllimi i tij ishte “çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”.
Ai paralajmëroi se nëse ushtarët ukrainas nuk i dorëzojnë armët, do të jenë përgjegjës për gjakderdhjen.
Menjëherë pasi fjalimit të tij, u dëgjuan shpërthime intensive raketash në qytetin lindor, Kharkiv dhe më pas u dëgjuan shpërthime sporadike në periferi të Kievit, nga drejtimi i aeroportit kryesor ndërkombëtar Boryspil dhe aeroportit të tij të dytë, në Zhuliany.
Fraksion.com