AktualitetPolitikëTë fundit

Sulmi ndaj Ukrainës, Peleshi: Më shumë se kurrë të bashkuar në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se sot është një ditë e keqe për paqen dhe demokracinë në botë.

Duke folur në Kuvend për situatën në Ukrainë dhe implikimet që mund të ketë në botë dhe në rajonin tonë, Peleshi tha se, “sot në orët e para të mëngjesit makineria ushtarake ruse në vijim të një fabule cinike të nisur prej kohësh ka filluar ndërhyrjen luftarake në territorin sovran të Ukrainës. Raportohen humbje jetë njerëzish të pafajshëm dhe dëme materiale”.

“E dënojmë me forcë sulmin e pajustifikuar dhe të para menduar të Federatës Ruse ndaj sovranitetit dhe popullit ukrainas, si një akt që dhunon rendin kushtetues botëror, çdo marrëveshje dhe ligj ndërkombëtar. Jemi më shumë se kurrë të bashkuar në NATO, në këtë luftë vlerash duke ndenjur vigjilent dhe ndjekur çdo implikim apo sfidë të mundshme në rajonin tonë”, tha Peleshi.

“Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj real ndaj Aleancës. Sa i përket qëndrimit tonë të përbashkët, kur themi Shqipëria nuk nënkuptojmë PS-në apo qeverinë e PS-së, nënkuptojmë politikën shqiptare, shoqërinë shqiptare. Të gjithë shqiptarët të bashkuar të paktën në çështje të mëdha të paqes dhe sigurisë, në vendin tonë, por edhe në rajonin tonë”, theksoi Peleshi.

Ndaj, shtoi ai, “dëshiroj të risjellë në vëmendjen tuja se kushdo,. çdo shqiptar që është i interesuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe natyrisht në Shqipëri, në Kosovë, e cila është në majë të agjendës tonë, duhet të unifikohet në një qëndrim të përbashkët. Dëgjuam qëndrimin politik të ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme. është qëndrimi i qeverisë shqiptare, është qëndrimi i Shqipërisë. Duhet të unifikohemi atje nëse duam të flasim në një zë dinjitoz në këtë ditë të zezë për paqen dhe sigurinë. Të gjitha idetë për Rezoluta, pse ka rezolutë pse s’ka rezolutë. të gjithë e kuptojnë që nuk janë në dobi, nuk janë në të mirë të dinjitet tonë, të pozicionit tonë në raport me aleatët apo me rajonin”.

“Unë kam ndjekur qëndrimet e të gjitha qeverive sidomos të vendeve anëtare të NATO-s dhe nuk shikoj Rezoluta parlamentare. Nuk është se është është një praktikë e padrejtë e panjohur. Por sot po flasin qeveritë në emër të vendeve të tyre, të shoqërive të tyre dhe të popujve të Aleancës. Ne kemi folur, kemi reaguar, jemi më të bashkuar se kurrë në NATO”, u shpreh Peleshi.

“Agresioni rus ka provokuar të kundërtën e asaj ç’ka mund të priste presidenti Putin, ka provokuar më shumë unitet, solidaritet, kohezion, brenda vetë vendeve të NATO-së. Mos e prishim ne ndaj do t’ju lutesha të mos e përdorim edhe këtë çështje për agjenda politike. Të mos reflektojmë edhe në këtë çështje ndasi politike, apo ndasi brenda opozitës për të treguar se kush e ka zërin më të fortë. Sepse kjo dëmton, në radhë të parë rajonin, Kosovën e më pak ne pastaj që jemi pjesë e Aleancës dhe e kemi më të sigurt, natyrisht të ardhmen dhe paqen në vendin tonë”, theksoi Peleshi.

 

Fraksion.com