AktualitetPolitikëTë fundit

Sulmi mbi Ukrainë, Kryemadhi: Duhet të kemi një qëndrim serioz dhe të qartë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot në parlament se, “sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës janë cenim i hapur i drejtpërdrejtë i paqes jo vetëm në Evropë por dhe në botë”.

“Këto veprime që janë shkatërrimtare për jetën e qytetarëve atje por jo vetëm të qytetarëve por dhe të ekonomisë, të paqes, të zhvillimit, të shëndetit, të cilat prekin rajonin por jam e bindur që shumë shpejt do të prekin dhe ekonominë shqiptare dhe sigurinë e vendit tonë. Prandaj do të ishte normale që Komisioni i Politikës së Jashtme në parlamentin shqiptar duhet të ketë një mesazh të qartë për të gjithë deputetët. Jam e bindur që pa dallim partive politike dhe ideve që përfaqësojmë të gjithë jemi kundër sulmeve që Rusia ka bërë në Ukrainë”, tha Kryemadhi.

“Do të ishte shumë domethënëse që Komisioni i Politikës së Jashtme të kishte një qëndrim të qartë për të gjithë deputetët dhe jo vetëm për deputetët, por dhe për të gjitha institucionet shqiptare duke u unifikuar me Ministrinë e Jashtme shqiptare. Qëndrimi i Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe si një aspirante për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian duhet të jetë komunikim dinjitoz, jo sporadik dhe jo qesharak. Por me atë modestinë tonë që kemi qoftë në ushtri, qoftë dhe në diplomaci në modesti të jemi serioz në prezantimin tonë”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi shtoi se, duhen marrë masa për furnizimin me ushqime pasi pjesën më të madhe e marrim nga Serbia.

“Ministria e Bujqësisë, por jo vetëm ajo, edhe komisioni emergjencave, duhet të jenë të gatshëm duke pasur parasysh që furnizimi Shqipërisë pjesën më të madhe e ka nga Serbia me ushqim. Me miell, qumësht dhe shumë produkte të tjera. Dhe duke pasur parasysh që Serbia është një suportuesit kryesor të Rusisë nuk e di ku do të jemi ne duke pasur parasysh shkatërrimin që i kemi bërë fermerit, bujqësisë shqiptare. Nëse do të kemi një situatë tjetër me se do të ushqehen familjet e shqiptarëve. Këtë e kisha një sugjerim nga ana ime duke pasur parasysh që në momente të caktuara gjithmonë ngelemi në sekondat e fundit siç ndodhi dhe në rastin e krizës Kosovë kur nuk kishim as dyshekë”, theksoi Kryemadhi.

 

Fraksion.com